Admir Fazlagikj
16 Shtator 2020•Përditësim: 16 Shtator 2020
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në kuadër të vizitës dy ditore të punës në Greqi, sot u takua me presidenten e Greqisë, Katerina Sakelaropulu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zaev falënderoi për mundësinë për t'u takuar me presidenten Sakelaropulu si edhe një afirmim dhe kontribut për përmirësimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e besimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si një shembull i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
"Gjatë bisedës, në të cilën ishin të pranishëm zëvendës kryeministri për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi, zëvendës kryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, u vlerësua se Marrëveshja e Prespës, përveç zgjidhjes së çështjes së hapur tre dekadashe midis dy vendeve fqinje, krijoi aleancë dhe partneritet dhe sot Greqia është mbështetëse e fortë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e saj për integrim në BE”, thuhet në njoftimin qeveritar.
“Kryeministri Zaev shprehu bindjen se Greqia do të jetë një nga lobistet kryesore për fillim të suksesshëm të konferencës së parë ndërqeveritare gjatë kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së, me të cilën do të fillojë procesi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, qëndron në njoftimin dhe shton se “bashkëpunimi i afërt me Greqinë ishte me rëndësi kyçe dhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe si aleate në Aleancë, Greqia tani është përgjegjëse për ruajtjen e qiellit të Maqedonisë së Veriut”.
Siç njoftohet, Zaev dhe Sakelaropulu biseduan edhe për potencialet për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve i cili duhet të nxitet dhe nga takimi i dytë i Këshillit për bashkëpunim në nivel të qeverive në Athinë në të cilën do të bisedohet për implementimin e mëtejshëm të Planit aksional për intensifikimin dhe pasurimin e bashkëpunimit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, siç parashihet në Marrëveshjen e Prespës.