Ekip
03 Gusht 2020•Përditësim: 04 Gusht 2020
Pothuajse dy vjet pas rënies vdekjeprurëse të urës në autostradën Morandi, qyteti italian i Xhenovës përuroi infrastrukturën e re të teknologjisë së lartë që e zëvendëson urën e rrëzuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ura Morandi, e emëruar sipas inxhinierit që e projektoi atë, u shemb pas shiut të madh më 14 gusht 2018, duke vrarë 43 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë, në një nga fatkeqësitë më të këqija civile në Itali në dekada.
Tragjedia ishte një kujtesë e ashpër e neglizhencës së infrastrukturave kryesore të Italisë dhe gabimeve afatgjate në mirëmbajtjen e tyre.
Presidenti Sergio Mattarella ishte i pari që kaloi urën e re pasditen e së hënës, pasi rikonstruksioni i saj u krye në kohë rekord, bazuar në një projekt të hartuar nga legjenda e arkitekturës me origjinë nga Xhenova, Renzo Piano. Struktura e re, e ndërtuar me standardet më të larta të sigurisë, do të përfshijë gjithashtu katër robotë që do të inspektojnë fortësinë e saj dhe do të kryejnë mirëmbajtje të rregullt.
"Nga një plagë që shërohet ngadalë në simbolin e një Italie të re që po shërohet", tha kryeministri Giuseppe Conte, i cili gjithashtu mori pjesë në përurimin e urës, së bashku me autoritetet e larta të Italisë.
Megjithatë, shumë familjarë të viktimave vendosën të shmangin ceremoninë, duke theksuar se ceremonia rrezikon të shndërrojë tragjedinë në një sfilatë, duke u larguar nga kujtesa e njerëzve që vdiqën.
Rënia e urës në vitin 2018 gjithashtu vuri në qendër të vëmendjes përgjegjësitë e "Autostrade", kompaninë që administroi me urën Morandi dhe drejton pothuajse gjysmën e rrjetit të autostradave të Italisë.
Kompania tani përballet me akuza për raporte të falsifikuara të sigurisë dhe dështime kryesore në mirëmbajtjen e urës. Punonjësit në "Autostrade" aktualisht janë nën hetim, së bashku me zyrtarët e lartë të transportit, për vrasje me faj.
Pas një polemike dy-vjeçare, grupi "Atlantia" i kontrolluar nga familja e pasur Benetton që zotëron shumicën e kompanisë "Autostrade", muajin e kaluar arriti një marrëveshje me qeverinë italiane për të hequr dorë nga kontrolli i kompanisë, e cila tani do të kontrollohet nga shteti.