Bota

Xhaferi: Vitin e ardhshëm Maqedonia do të jetë anëtare e NATO-s

"Maqedonia prej vitit 1991 kur u bë shtet i pavarur, e zgjodhi rrugën nëpër të cilën do të ecë dhe zhvillohet, gjegjësisht përmbushjen e kushteve për anëtarësim të plotëfuqishëm në familjen euroatlantike", tha Xhaferi

Besar Ademi  | 20.11.2018 - Përdıtësım : 20.11.2018
Xhaferi: Vitin e ardhshëm Maqedonia do të jetë anëtare e NATO-s Burimi: Zyra me publikun e Kuvendit të Maqedonisë

Shkup

SHKUP (AA) - Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në sesionin e 64-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që u mbajt dje në Halifax të Kanadasë, ka deklaruar se përpjekjet për integrim të Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare, pjesëmarrja aktive në takimet e këtilla si të Asamblesë Parlamentare si dhe pjesëmarrja në misionet paqësore të udhëhequra nga NATO në Irak dhe Afganistan, tregon kontributin aktiv të vendit në ruajtjen e paqes globale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur zyra për marrëdhëniet me publikun e Kuvendit të Maqedonisë, Xhaferi në fjalimin e tij përshëndeti programin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s kushtuar anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO.

"Maqedonia prej vitit 1991 kur u bë shtet i pavarur, autonom, e zgjodhi rrugën nëpër të cilën do të ecë dhe do të zhvillohet, gjegjësisht përmbushjen e kushteve për anëtarësim të plotëfuqishëm në familjen euroatlantike. Ky përcaktim ishte udhërrëfyesi i cili luajti rol tejet pozitiv në proceset e përgjithshme të tranzicionit të shteteve të Evropës Juglindore ndër të cilat natyrisht është edhe Republika e Maqedonisë", deklaroi Xhaferi.

Duke theksuar se anëtarësimi në NATO do t'i mundësojë vendit standarde të demokracisë parlamentare, respektim të të drejtave dhe lirive individuale, si dhe rritje ekonomike dhe cilësisë jetësore, Xhaferi tha se për këto arsye në Maqedoni mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin të plotëfuqishëm në integrimet euroatlantike është konstant mbi 75 për qind.

Më tej, në fjalimin e tij Xhaferi foli edhe për gjendjen aktuale në Maqedoni si dhe për realizimin e qëllimeve të saj strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE. Siç tha ai, marrëveshjet e nënshkruara me shtetet fqinje, respektivisht ajo me Bullgarinë dhe me Greqinë e cila ende pritet të ratifikohet në Parlamentet e dy vendeve fqinje, hapin dyert e bashkëpunimit të ngushtë dhe kontribuojnë në zhbllokimin e integrimit të vendit në NATO dhe BE.

"Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, thënë në mënyrë metaforike, e ktheu shtetin dhe shoqërinë tonë përsëri në rrugën euroatlantike. Natyrisht se nuk ishte lehtë, kishte dyshime dhe mosbesim, arritja e kompromisit nuk është e lehtë kurrë, gjithmonë do të ketë ndonjë të pakënaqur, mirëpo nuk guxojmë ta shohim këtë si ana fitimtare dhe humbëse. Të gjithë ne jemi fitimtarë, për arsye se e hapëm rrugën për arsyen të vijë tek zgjidhja e pranueshme për të dyja palët", deklaroi Xhaferi.

Ai po ashtu, në fjalimin e tij, shprehu bindje se vitin e ardhshëm në këtë kohë Maqedonia do të jetë "anëtarja e plotëfuqishme e 30 e kësaj familjeje".

Maqedonia si anëtare asociuese është e pranishme në Asamblenë Parlamentare të NATO-s prej vitit 1994. Ky vend ishte edhe pritës i shtatë sesioneve të seminarit Ros-Rot, sesioni i fundit i të cilës u mbajt në Shkup në muajin korrik të këtij viti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın