Ekip
15 Tetor 2021•Përditësim: 18 Tetor 2021
Një vrasës serik 20-vjeçar i cili pranoi se kishte vrarë mbi dhjetë fëmijë është rrahur për vdekje nga një turmë e zemëruar në Kenia, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia konfirmoi për mediat sot se Masten Wanjala Milimu, i cili u arratis nga burgu i policisë në Nairobi, të mërkurën u linçua nga një turmë në qytetin e tij të lindjes në Bungoma, Kenia Perëndimore, 418 kilometra nga kryeqyteti Nairobi.
Komandanti i policisë së qarkut Bungoma, Musyoki Mutungi, u tha gazetarëve se i dyshuari u fut fshehurazi në shtëpinë e prindërve të tij, por fqinjët e vunë re atë.
"Ai u kap nga turma dhe u linçua rreth orës 7:00 të mëngjesit", tha ai.
Ende nuk është e qartë se si vrasësi serik u arratis nga qelia e tij në stacionin policor Jogoo Road në Nairobi, por tre policë janë arrestuar për arratisjen e tij.
Policia e kishte lidhur vrasësin me 14 incidente vrasjesh. Milimu i kishte thënë policisë se pothuajse të gjitha viktimat e tij ishin djem, të cilët i drogonte para se t'i vriste dhe shpesh pinte gjakun e tyre. Pesë trupa janë gjetur deri më tani pasi vrasësi serik e çoi policinë në skenat e vrasjeve të tij.