Talha Yavuz
14 Tetor 2021•Përditësim: 14 Tetor 2021
Ka vdekur Viktor Bryukhanov, ish drejtori i centralit bërthamor të Çernobilit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në faqen e termocentralit bërthamor në median sociale janë shprehur ngushëllime për familjen dhe miqtë e Bryukhanov-it.
U konfirmua se Bryukhanov ndërroi jetë në moshën 85 -vjeçare.
Bryukhanov, i cili ishte drejtor i termocentralit nga viti 1970 deri në vitin 1986, u pushua nga puna pas katastrofës.
Autoritetet e atëhershme sovjetike e dënuan Bryukhanov-in me dhjetë vjet burg, kurse u lirua pasi vuajti gjysmën e dënimit.
- Katastrofa e Çernobilit
Në prill 1986, ndodhi një shpërthim në termocentralin bërthamor të Çernobilit i cili ndodhej në kufirin Ukrainë-Bjellorusi dhe 110 kilometra nga Kievi, duke shkaktuar rrjedhje të reve me grimca bërthamore.
Autoritetet e Bashkimit Sovjetik të atëhershëm u përpoqën të mbulonin aksidentin, prandaj popullsia e Pripyat-it u evakuua vetëm të nesërmen. Për tre orë, Pripyat u bë një qytet fantazmë, kurse në ditët e ardhshme, mijëra tonë materiale kimike u hodhën mbi reaktorin.
Gazi helmues që u shfaq pas shpërthimit preku gjithashtu vende të tilla si Rusia, Ukraina, Bjellorusia dhe disa pjesë të Evropës Qendrore. Retë helmuese pas dhjetë ditësh arritën në SHBA, Kanada dhe Japoni.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 600.000 njerëz në një zonë 30 kilometra nga vendi i shpërthimit u ekspozuan ndaj dozave të larta të rrezatimit.
Rreth pesë milionë njerëz në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusi jetojnë në zona ku rreziku i rrezatimit është i lartë.