Ekip
26 Janar 2016•Përditësim: 27 Janar 2016
ROMË (AA) – Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka vazhduar sot vizitën në Itali në kuadër të së cilës në Vatikan u takua me Papa Françeskun, raporton Anadolu Agency (AA).
Rouhani qëndron në Itali në kuadër të turneut katër ditorë evropian pas heqjes së sanksioneve ndaj Teheranit dhe kjo është vizita e parë e presidentit iranian në Itali që nga viti 1999. Takimi me njeriun e parë të Vatikanit, i cili zgjati mbi gjysmë ore, për presidentin iranian paraqiste, siç u shpreh “kënaqësi të vërtetë”, ndërsa gjatë takimit u kërkua nga Papa Françesku që të “lutet për të”.
Siç u njoftua nga Vatikani, Papa Françesku falënderoi Rouhanin për vizitën dhe shprehu besimin dhe shpresën për paqe.
- Forum i Biznesit në Romë-
Presidenti iranian, Rouhani pak para takimit me Papa Françeskun mori pjesë edhe në Forumin e Biznesit në Romë dhe me këtë rast iu bëri thirrje investitorëve dhe kompanive italiane që të investojnë në tregun e Iranit. Qëllimi i Forumit, si dhe i vizitës së Rouhanit në Itali, është intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale dhe përforcimi i lidhjeve ekonomike. “Sot jemi mbledhur të gjithë këtu në mënyrë që të zbatohet marrëveshja për programin bërthamor, të hiqen sanksionet dhe të gjithë të shpiejnë drejt tregjeve të reja. Marrëveshja për programin bërthamor mund të konsiderohet edhe si përparësi e madhe për progresin ekonomik të të gjitha palëve”, deklaroi Rouhani. Ai tha se investimi në tregun iranian ka përparësi të shumta, veçmas për italianët të cilët iranianët u besojnë për shkak të bashkëpunimit të suksesshëm në të kaluarën.
“Mungesa e zhvillimit ekonomik i jep forcë terrorizmit, ndërsa papunësia e masivizon. Përparimi kulturor doemos duhet të shkojë paralelisht me atë ekonomik”, porositi Rouhani. Ai u përqendrua edhe në rëndësinë e bashkëjetesës të grupeve të ndryshme etnike dhe fetare, duke shtuar se edhe Kur’ani i mëson muslimanët për solidarizim dhe respekt ndaj tjetrit.
- Takimi Gentiloni – Zarif -
Shefat e diplomacive italiane dhe iraniane, Javad Zarif dhe Paolo Gentiloni sot në mëngjes zhvilluan takim në Romë dhe biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme. Biseduan edhe për situatën në Siri, Libi dhe në rajonet tjera të krizës.
Kujtojmë se Rouhani dje, në ditën e parë të vizitës në Romë, u takua me homologun italian, Sergi Mattarelo dhe shefin e qeverisë, Matteo Renzi.
Gjatë takimit me kryeministrin janë nënshkruar shumë marrëveshje, sipas vlerësimeve, arrijnë vlerën prej 17 miliardë euro. Ai këtë vizitë në Itali dhe Francë e planifikoi në nëntor të vitit të kaluar, por u anulua për shkak të sulmeve terroriste të cilat ndodhën në Paris më 13 nëntor.