Besar Ademi
10 Nëntor 2017•Përditësim: 11 Nëntor 2017
SHKUP (AA) – Pas takimeve me përfaqësuesit e partive parlamentare në Kuvend dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian (PE), Ivo Vajgl, deklaroi se për PE-në është me rëndësi të madhe që të jetë mirë e informuar se si po zhvillohen gjërat në Maqedoni”, raporton Anadolu Agency (AA).
Eurodeputeti Ivo Vajgl, i cili qëndron në vizitë dy-ditore në Maqedoni, theksoi se është mjaft i inkurajuar pas takimeve që zhvilloi në vend.
I shoqëruar nga ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Samuel Zhbogar, takimet i filloi gjatë ditës së djeshme, ndërsa pas përfundimit të takimeve në një konferencë për media informoi për nismën e tij për mbajtjen e një takimi mes partive parlamentare të Maqedonisë në shtëpinë “Jean Monnet”, në afërsi të Parisit.
“Unë mund t’ju siguroj juve se Parlamenti Evropian është shumë mbështetës për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ne do të dëshironim të shohim të gjithë rajonin e Evropës Juglindore të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe ne do të dëshironim të theksojmë se secili vend do të matet sipas meritave të veta”, deklaroi Vajgl.
Vajgl duke iu referuar Maqedonisë, tha se me rëndësi të madhe është që ky vend përmes programeve ambicioze të zbatojë reformat, pasi që siç theksoi ai, reformat janë kriter kyç që mundësojnë nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndërkaq, nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se Shtëpia ligjvënëse e Maqedonisë vazhdon të përcjellë propozimet dhe rekomandimet e BE-së të cilat, sipas tij, Maqedonia është e gatshme që në tërësi t’i implementojë.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është i gatshëm që të hap procesin e ashtuquajtur të dialogut ‘Jean Monnet’, i cili në asnjë mënyrë, siç edhe u konkludua edhe gjatë ditës së djeshme, nuk nënkupton vazhdimin e procesit të bisedimeve që kanë ndodhur në të kaluarën në vendin tonë, por ka të bëjë me nismën dhe gatishmërinë e re të përbërjes parlamentare dhe subjektet politike në Parlament, që në formën e dialogut që do të zhvillojmë të arrijnë deri te zgjidhjet e pranueshme të duhura për të gjithë ne, që të mund atë rekomandim reformues në të cilin jemi tani, ta zbatojmë në kohën më të shkurtër të mundur”, deklaroi Xhaferi.
Ndryshe, në takimin e shtëpisë “Jean Monnet”, që do të mbahet në fund të muajit janar të vitit të ardhshëm, pushteti dhe opozita do të diskutojnë për çështjet e hapura të cilat e rëndojnë klimën politike në Maqedoni.
Mirëpo, Vajgl theksoi se bëhet fjalë për hapje joformale të procesit të dialogut, pa praninë e mediave, gjatë të cilave do të bëhet përpjekje që të gjendet gjuhë e përbashkët për çështje të caktuara, me fokus të veçantë në përafrimin e qëndrimeve për temat kyçe për procesin e integrimit.