Gözde Bayar
25 Nëntor 2019•Përditësim: 27 Nëntor 2019
Pas operacionit ushtarak turk gjatë të cilit zonat në veri të Sirisë u pastruan nga terroristët, një universitet turk nga rajoni ka vendosur të ofrojë arsim në zonat e çliruara.
Universiteti Gaziantep ka themeluar fakultete në provincat e Sirisë, Al-Bab, Azaz, Afrin dhe Jarabulus për t'u mundësuar studentëve sirianë që të vazhdojnë arsimin e lartë.
"Zhvillimi i arsimit të lartë është një nga sinjalet më të rëndësishme të normalizimit të jetës së përditshme pas luftës, thotë për Anadolu Agency (AA) Halil Ibrahim Ilgi, hulumtues në Fakultetin e Edukimit në Afrin.
"Studentët që janë pranuar në fakultet, kanë kaluar provimin për studentë të huaj në Turqi. Gjithsej 3.000 studentë aplikuan për këtë provim", tha Ilgi, duke shtuar se 120 studentë ndjekin arsimin e lartë në fakultetin në Afrin.
"Ne kemi tre programe, përfshirë mësimdhënien, konsultimin dhe udhëzimin psikologjik si dhe gjuhën turke. Kemi nga 40 studentë në secilin program", shtoi ai.
Raman Cafer, një ish-student i universitetit të Halepit, falënderoi Universitetin Gaziantep për mbështetjen që ua ofron studentëve në Afrin.
"Një numër studentësh në Afrin ishin në pritje të kësaj, për të mos humbur të ardhmen e tyre", shtoi Cafer.
Gada Shami, një student tjetër, thotë se ai nuk ka pasur mundësi të përfundojë shkollimin e tij në Universitetin e Damaskut pasi u detyrua të emigrojë.
"Hapja e Universitetit Gaziantep është një mundësi e shkëlqyer. Aktualisht po studioj mësimdhënien", thotë ai, duke shtuar se nuk mund të gjente një universitet tjetër në Siri që u mundëson studentëve diploma që njihen ndërkombëtarisht.
Operacionet "Mburoja e Eufratit", "Dega e Ullirit" dhe "Burimi i Paqes" synojnë që të eliminojnë elementet terroriste në afërsi të kufirit turk, përfshirë terroristët e DEASH-it dhe YPG/PKK.
Ankaraja zyrtare dëshiron të pastrojë zonën në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë nga organizata terroriste PKK dhe dega e saj siriane PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.