Beyza Binnur Dönmez
25 Prill 2019•Përditësim: 26 Prill 2019
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) evakuoi 325 refugjatë nga Qendra e paraburgimit në Qasr bin Ghashirna në periferi të Tripolit, kryeqytetit të Libisë, në mes të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe përshkallëzimit të konfliktit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zhvendosja u realizua pas raportit të së martës mbi dhunën e armatosur kundër të paraburgosurve që protestuan për kushtet e këqija në qendër, thuhet në deklaratën e UNHCR-së.
"Rreziku për refugjatët dhe emigrantët në Tripoli kurrë nuk ka qenë më i madh sesa tani", tha Matthew Brook, zëvendës shefi i misionit të UNHCR-së në Libi.
Refugjatët u transferuan në një institucion tjetër të paraburgimit në Azzawiya, në veriperëndim të Libisë, ku rreziku është më i ulët dhe ku kanë të siguruar ushqimin, ujin dhe kujdesin mjekësor, thonë nga UNHCR-ja.
Më shumë se 825 refugjatë janë evakuuar gjatë dy javëve të fundit nga qendrat e ndryshme të paraburgimit pranë zonës së konfliktit, në dhe rreth Tripolit.
Më 5 prill, Khalifa Haftar, komandant ushtarak në Libinë lindore, nisi ofensivën ushtarake për të marrë kryeqytetin Tripoli, ku ndodhet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja.
Operacioni filloi para "konferencës së dialogut kombëtar" që do të mbahej në Libi nën mbikëqyrjen e OKB-së më 14-16 prill.
Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në përmbysjen dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.
Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilin Haftar është i lidhur dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.