Mustafa Deveci
17 tetor 2022•Përditësim: 18 tetor 2022
Tre persona përfshirë edhe një grua gjashtë muajsh shtatzënë kanë humbur jetën në sulmet me mjete ajrore pa pilot kamikazë (dronë-kamikazë), që forcat ruse ndërmorën këtë mëngjes në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, bëri një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale lidhur me sulmet me dronë kamikazë të ndërmarrë këtë mëngjes në qytet.

Klitschko theksoi se këtë mëngjes drejt Kievit u dërguan 28 dronë kamikazë dhe se 23 prej tyre u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërkohë që në kryeqytet u dëgjuan 5 shpërthime të ndryshme.
Gjatë punimeve të kërkim-shpëtimit në një apartament të shembur pjesërisht dhe i cili ishte objektiv i sulmit në Kiev, janë gjetur trupat e pajetë të 3 personave, konfirmoi Klitschko, i cili informoi se në mesin e personave që kanë humbur jetën ndodhet një grua gjashtë muajsh shtatzënë dhe bashkëshorti i saj.

Momenti i sulmeve në Kiev është pasqyruar në kamerën e AA-së. Përreth ndërtesës që u godit u dëgjua zhurma e dronëve të rinj kamikazë. Pas kësaj forcat e sigurisë në rajon hapën zjarr në ajër për të neutralizuar dronin kamikaze.
Pas të shtënave në rajon u dëgjuan dy shpërthime. Pas shpërthimeve forcat e sigurisë, zjarrfikësit dhe gazetarët u përpoqën të largohen nga zona duke vrapuar.

Gazetarët dhe forcat e sigurisë pritën përfundimin e sulmeve duke u strehuar në një vend të sigurt.
Rrugët përreth zonës ku ndodhën sulmet u mbushën me tym ndërsa disa nga banorët e zonës shkuan në rajone të tjera duke u larguar nga shtëpitë me disa sende që kishin marrë me vete.
Forcat ruse kryen sulme në Kiev edhe më 10 tetor.