Burç Eruygur
21 Nëntor 2022•Përditësim: 22 Nëntor 2022
Të paktën një person ka humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur sot në sulmet e Rusisë në lindje të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Mbrëmë, armiku nisi sulm me raketa S-300 në fshatin Shevchenkovo, në rrethin Kupyansky. Raketa ka goditur një banesë dykatëshe. Një ndërtesë banimi aty pranë është dëmtuar gjithashtu. Fatkeqësisht, një grua 38-vjeçare humbi jetën dhe të paktën 2 persona të tjerë u plagosën", tha guvernatori i Kharkivit, Oleh Synyehubov në llogarinë e tij në Telegram.
Synyehubov tha se forcat ruse përdorën mortaja dhe artileri për të qëlluar vendbanimet në rrethet Kupiansk, Kharkiv dhe Chuguyevsky.
Ndërkohë, autoritetet lokale në rajonin e Donetskut njoftuan se 3 civilë u plagosën nga sulmet.
"Tre civilë u plagosën nga rusët: dy në Bakhmut dhe një në fshatin Kostiantynivka. Aktualisht është e pamundur të përcaktohet numri i saktë i viktimave në Mariupol dhe Volnovakha", tha guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko në Telegram.
Gjithashtu një person 78-vjeçar u plagos në lagjen Nikopol që ndodhet në rajonin e Dnipropetrovsk, thanë zyrtarët lokalë.
"Tre komuna u goditën, Nikopol, Marganetskaya dhe Mirovskaya. Gati 60 predha u lëshuan atje. Një person 78-vjeçar u plagos në Nikopol. Predhat ruse dëmtuan shtëpi private, varka dhe automjete", shkroi në Telegram guvernatori i Dnipropetrovskut, Valentyn Reznichenko.
Zhvillimet erdhën pasi Rusia dhe Ukraina fajësuan njëra-tjetrën për shpërthimet e njoftuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias.
Më pas Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se shkatërroi një punëtori për montimin e motorëve të avionëve në fabrikën Motor Sich në të njëjtin rajon.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, në luftën e cila vazhdon në Ukrainë deri më tani janë regjistruar rreth 6.500 viktima dhe 10 mijë të plagosur.