Aliia Raimbekova
31 Gusht 2023•Përditësim: 01 Shtator 2023
Në një aksident ku u përfshinë 2 helikopterë Mi-8 të ushtrisë ukrainase në rajonin Donetsk të Ukrainës, humbën jetën 6 pilotë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Shërbimit të shtypit të Grupit të Njësisë Lindore të Forcave të Armatosura të Ukrainës, IIIia Yevlash, në një deklaratë për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve të Ukrainës (UNN) theksoi se një aksident ku u përfshinë 2 helikopterë të Ukrainës ndodhi në zonën Kramatorsk në rajonin Donetsk.
Helikopterët u aksidentuan teksa ndodheshin në mision luftarak, tha Yevlash.
"Teksa kryenin një mision luftarak në zonën Kramatorsk, një avion armik Su-35 u ngrit dhe ato duhej të kryenin ulje për të mos u vendosur në objektiv nga avioni armik. Po hetohet nga komisioni se çfarë ka ndodhur gjatë asaj kohe. Po hetohen arsyet dhe se çfarë ka ndodhur plotësisht, goditje nga ndonjë raketë ose nga ndonjë gabim tjetër".
Yevlash theksoi se në aksident humbën jetën 6 pilotë.
Sipas lajmeve në shtypin lokal, aksidenti ka ndodhur më 29 gusht.