Talha Yavuz
24 Gusht 2021•Përditësim: 25 Gusht 2021
Përderisa Ukraina feston 30-vjetorin e pavarësisë së shpallur më 24 gusht 1991, nga ana tjetër vazhdon integrimin në shoqërinë euro-atlantike, raporton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti i Republikës Socialiste Sovjetike i Ukrainës, më 24 gusht 1991 miratoi dokumentin që shpall pavarësinë e Ukrainës.
Në referendumin e datës 1 dhjetor 1991, 90 për qind të ukrainasve votuan në favor të pavarësisë së Ukrainës duke u ndarë nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike.
Pas shpërberjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina për synimin strategjik e caktoi integrimin në shoqërinë euro-atlantike, ndërsa më 2 dhjetor 1991 ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) miratuan Deklaratën BE-Ukrainë.
Hapi i parë i rëndësishëm mes Ukrainës dhe BE-së u hodh pasi në vitin 1994 palët nënshkruajtën marrëveshjen e partneritetit dhe bashkëpunimit në fushat e politike, ekonomike dhe kulturore. Me këtë Ukraina u bë republika e parë sovjetike që ka nënshkruar këtë dokumente, ndërsa ajo hyri në fuqi në vitin 1998.
- Revolucioni Portokalli
Në zgjedhjet e vitit 2004, mes rivalëve Viktor Yushchenko dhe Viktor Yanukovych, fitoi Yanukovych me 49 për qind. Por me arsyetimin e mashtrimit në zgjedhje filluan protestat e quajtura "Revolucioni Portokalli". Pasi demonstratat fituan masivisht, në zgjedhjet që u përsëritën u zgjodh pro-perëndimori Yushchenko.
Marrëdhëniet midis BE-së dhe Ukrainës u përmirësuan edhe më tej në vitin 2009 falë Programit të Partneritetit Lindor.
- Ngjarjet e sheshit
Pasi presidenti i atëhershëm i vendit, Viktor Yanukovich, më 21 nëntor 2013 nënshkroi Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, filluan protestat e quajtur "ngjarjet e sheshit" duke e ndarë vendin mes atyre pro-ruse dhe pro-perëndimorë.
Yanukovich në shkurt të vitit 2014, me rritjen e demonstratave, iku nga vendi, kurse tensionet depërtuan në Krime dhe Donbas. Në atë kohë në pushtet erdhi administratë pro-evropiane.
Administrata e re më 21 mars 2014 nënshkroi pjesët politike të Marrëveshjes së Asociimit në Bruksel. Ndërsa në 27 qershor 2014 presidenti i ri Petro Poroshenko, në Bruksel nënshkroi edhe pjesën ekonomike të marrëveshjes.
Marrëveshja e Zonës së Tregtisë së Lirë Ukrainë-BE hyri në fuqi në vitin 2016. Me marrëveshjen, e cila shihet si një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit dhe anëtarësimit të Ukrainës në BE, ishte parashikuar që vendi t'i përshtatej plotësisht BE-së për 10 vjet.
- Ukraina, nga Pakti i Varshavës drejt NATO-s
Ish-anëtari i Paktit të Varshavës, Ukraina, pas marrëveshjes së partneritetit për paqe në vitin 1994, në vitin 1997 nënshkroi Marrëveshjen e Partneritetit të Privilegjuar.
Marrëdhëniet në periudhën e Yushchenko-s morën hov, kurse në vitin 2008 Ukraina aplikoi për planin e veprimit të anëtarësimit. Në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, u njoftua se Ukraina do të jetë anëtar i NATO-s por se nuk u hodh hap konkret.
Ukraina ishte në pritje për t'u thirrur në Samitin e NATO-s në Bruksel këtë viti pasi në muajin prill kishte aktivitetit ushtarak rus në kufijtë e saj, por kjo nuk ndodhi. Presidenti aktual, Volodymyr Zelensky, para samitit theksoi se vendi i tij ka bërë reforma në rrugën e anëtarësimit dhe se ka ardhur koha që NATO të mbështesë me hapa konkrete Ukrainën.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në lidhje me vlerësimin e tij për anëtarësimin e Ukrainës pas Samitit, tha se Ukraina do të anëtarësohet kur t'i përmbushë kriteret dhe se korrupsioni ende është problem në këtë vend.