Servet Günerigök
27 Janar 2020•Përditësim: 27 Janar 2020
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u shprehu ngushëllime familjes së yllit të basketbollit Kobe Bryant, i cili të dielën humbi jetën gjatë rrëzimit të helikopter në Calabasas, Kaliforni, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kobe Bryant, pavarësisht se ishte një nga lojtarët më të shkëlqyer të të gjitha kohërave, sapo kishte filluar në jetë. Ai e donte shumë familjen e tij dhe kishte një pasion aq të fortë për të ardhmen", tha Trump në Twitter.
Helikopteri u rrëzua në kushte mjegulle dhe më pas e kaploi zjarri.
Sipas Departamentit të Sherifit të Qarkut në Los Angeles, rrëzimi i helikopterit la nëntë persona të vdekur, përfshirë vajzën 13-vjeçare të Bryant, Gianna dhe trajnerin e bejsbollit të Orange Coast College, John Altobelli. Bryant ishte 41 vjeç.
"Humbja e vajzës së tij të bukur, Gianna, e bën këtë moment edhe më shkatërrues. Melania dhe unë dërgojmë ngushëllimet tona më të ngrohta tek Vanessa dhe familja e mrekullueshme Bryant. Zoti qoftë me ju të gjithë!" tha Trump, duke iu referuar gruas së Bryant.
Pasi dëgjoi lajmin tragjik, legjenda e Chicago Bulls, Michael Jordan tha: "Fjalët nuk mund të përshkruajnë dhimbjen që po ndiej. Unë e doja Kobe-n, ai ishte si një vëlla i vogël për mua".
Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, lëshoi një njoftim duke thënë se familja NBA është shkatërruar.
Ish-shoku i skuadrës Shaquille O'Neal, me të cilin fitoi tre kampionate të njëpasnjëshme në vitet 2000, 2001 dhe 2002, gjithashtu u prononcua.
"Nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen që po kaloj tani me këtë moment tragjik dhe të trishtuar të humbjes së mikut tim, vëllait tim, partnerit tim në fitimin e kampionateve. Unë të dua vëlla dhe do të më mungosh. Ngushëllimet e mia për familjen Bryant dhe familjet e pasagjerëve tjerë në bord".