Ekip
27 Maj 2017•Përditësim: 28 Maj 2017
TAORMINA (AA) – Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Aleanca e NATO-s do të jetë edhe më e fortë për shkak se vendet anëtare në mënyrë "të konsiderueshme" kanë rritur shpenzimet e tyre për mbrojtje, raporton Anadolu Agency (AA).
"Shumë vende të NATO-s kanë rënë dakord që të rrisin dukshëm shpenzimet e tyre, aq sa do të jetë e nevojshme. Paraja ka filluar të injektohet në NATO për shkak së cilës ajo do të jetë edhe më e fortë", ka thënë Trump të shtunën nëpërmjet Twitter-it.
Vendet anëtare nuk paguajnë paratë direkt në SHBA apo NATO, por ato i investojnë në vendet e tyre për të blerë armë ose për nevoja të tjera që lidhen me mbrojtjen.
Presidenti i SHBA-së do të mbështesë përpjekjet e vazhdueshme që shtetet anëtare të angazhohen se do të investojnë të paktën dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtje. Vetëm pesë shtetet anëtare aktualisht kanë përmbushur këtë qëllim, ndërkohë që vende të tjera janë angazhuar për ta bërë këtë nga viti 2024.
Trump po merr pjesë në takimin me liderët e vendeve të G7-ës në Taormina të Sicilisë.
"Sot na pret takimi i madh i G7-ës. Na presin shumë çështje të rëndësishme për të cilat do të diskutojmë. I pari në listë është natyrisht terrorizmi", shkroi Trump në profilin e tij në Twitter.