Fuat Kabakçı,Gamze Türkoğlu Oğuz
30 Shtator 2017•Përditësim: 30 Shtator 2017
PEKIN (AA) – Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson gjatë vizitës në Kinë bëri thirrje për uljen e tensioneve në Gadishullin Korean ndërsa theksoi se dhënia fund e testimit të raketave është obligim i Phenianit, raporton Anadolu Agency (AA).
Tillerson i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Pekin, në deklaratën e tij pas takimit me presidentin kinez Xi Jinping shprehu besimin se edhe Kina ndjen shqetësim të thellë për programin bërthamor dhe të raketave të Koresë së Veriut.
Duke vënë në dukje se Qeveria e Kinës po punon shumë për të bindur Korenë e Veriut që t’i japë fund programit të saj bërthamor dhe t’i rifillojë negociatat, Tillerson tha se “Ajo që është e nevojshme të bëhet menjëherë është ulja e tensioneve”.
Ai vuri në dukje se dhënia fund e testimit të raketave nga Koreja e Veriut do të ulë në masë të madhe tensionet.
Kryediplomati amerikan tha se SHBA-ja nuk do ta pranojë Korenë e Veriut si një fuqi bërthamore dhe se në të njëjtën kohë nuk ka për qëllim përmbysjen e regjimit të liderit verikorean.
Tillerson po ashtu shprehu dëshirën e shtetit të tij për thellimin e dialogut me Kinën, rritjen e besimit reciprok, fuqizimin e kontakteve si dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
“SHBA-ja dëshiron që të japë përgjigje të përbashkëta me Kinën ndaj problemeve rajonale dhe ndërkombëtare”, thotë Tillerson.
“Bashkëpunimi është opsioni i vetëm i drejtë për palët”
Presidenti i Kinës Xi Jinping tha se interesat e përbashkëta të SHBA-ve dhe të Kinës janë më shumë se çështjet ku kanë dallime duke shtuar se bashkëpunimi është “opsioni i vetëm i drejtë për palët”.
Ai potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të këtyre dy ekonomive të mëdha të botës si dhe vazhdimin e kontakteve. Presidenti kinez tha se kjo është në interes të të dyja vendeve, por edhe të shteteve të tjera.
“Kina dhe SHBA-ja duhet të zhvillojnë bashkëpunim në fusha rajonale dhe globale. Fushat e bashkëpunimit duhet të shtohen dhe të zgjerohen, të vendosen kontaktet dhe bashkëpunimet në çështjet e rëndësishme ndërkombëtare. Të dy vendet duhet t’i zgjidhin çështjet e ndjeshme dhe ato të cilat shkaktojnë ndarje në bazë të respektit të shqetësimeve dhe në bazë të interesave reciproke", tha Xi Jinping.