Meryem Göktaş
22 Janar 2019•Përditësim: 23 Janar 2019
ERZURUM (AA) - Terroristja e PKK-së e cila u arratis nga kampi dhe iu dorëzua forcave turke të sigurisë, pohon se në radhët e kësaj organizate terroriste është bashkuar nëpërmjet Partisë Demokratike të Popujve (HDP), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), terroristja e identifikuar si B.E. dëshmoi për lidhjet e drejtpërdrejta midis organziatës terroriste PKK dhe partisë politike HDP.
Terroristëve të PKK-së ajo iu bashkua si 15 vjeçare dhe pas dy vitesh ajo u arratis nga kampi dhe iu dorëzua forcave turke të sigurisë. Ajo thotë se këtë e bëri pasi përjetoi anën e errët të terrorizmit.
Duke folur me gazetarin e AA-së, B.E. tha se duke qenë adoleshente është paraqitur në partinë HDP dhe u ka thënë se dëshiron t'i bashkohet PKK-së.
"Më thanë që ta linja numrin e telefonit dhe të shkoj në shtëpi. Më vonë më thirrën dhe më çuan në mal", tregon B.E.
Ajo gjithashtu thotë se gjatë qëndrimit të saj në kampet terroriste në male, në takimet me krerët e PKK-së kanë ardhur zyrtarët, zëvendësit dhe udhëheqësi i partisë HDP.
Qeveria turke akuzon HDP-në për mbështetje dhe lidhje me organizatën terroriste PKK, ndërsa disa deputetë të HDP-së akuzohen për pjesëmarrje në varrimin e një terroristi të PKK-së.
Bashkë-kryetari i HDP-së, Selahattin Demirtas dhe 12 deputetë të HDP-së u arrestuan në nëntor të vitit 2016 dhe kundër tyre zhvillohet një proces gjyqësorë penal. Më parë atyre iu hoq imuniteti i deputetit për faktin se akuzohen për mbështetje dhe lidhje me terrorizmin.
Në vazhdim të intervistës, B.E. tha se jeta në kampet terroriste në male është shumë e vështirë dhe se terroristët kanë mungesë ushqimi, akomodimi dhe nevoja të tjera të jetës.
Ajo gjithashtu theksoi se shumë të rinj i bashkohen organizatës terroriste PKK për të shpëtuar nga presioni në familjet e tyre dhe për të shmangur martesat e detyruara.
"U bëj thirrje të gjithë njerëzve të qëndrojnë larg organizatës terroriste PKK. Është një moçal i vërtetë nga i cili nuk mund të dilet. Është e mrekullueshme ajo që terroristët u premtojnë të rinjve, por është e neveritshme ajo që u japin", tha B.E.
Duke theksuar se PKK ofron vetëm vdekje dhe sidomos keqtrajtohen dhe torturohen gratë që kanë ikur nga familjet, B.E. thotë se ishte penduar që ditën kur u bashkua me radhët e organizatës terroriste.
Ajo gjithashtu tha se të ashtuquajturit zyrtarë dhe krerë të PKK-së gëzojnë rehati të madhe, si dhe kanë veshmbathjet dhe ushqimet më të shtrenjta.
"Ndryshe nga ata, rekrutët e rinj jetojnë si skllevërit e tyre. Eprorët vazhdimisht ushtrojnë presion dhe keqtrajtojnë ushtarët e tyre", tha B.E.
Duke theksuar se personalisht ka dëshmuar vrasje të shumta të PKK-së, ajo tha se po ashtu ka pa ekzekutimin e tre ose katër njerëzve të kapur në përpjekje për të ikur nga kampi.
"Trupat e të vrarëve as nuk u varrosën, por vetëm i hodhën diku. Kam dëshmuar rrahje të shpeshta dhe forma të ndryshme të dhunës. Kjo ishte arsyeja pse u arratisa", thotë B.E.
Ajo gjithashtu tha se krerët e PKK-së vazhdimisht kërcënojnë terroristët se forcat turke të sigurisë do t'i malltretojnë dhe do t'i vrasin nëse ikin nga radhët e organizatës terroriste.
"Megjithatë, unë personalisht dëshmoj se PKK vret ata që përpiqen të arratisen. Disa i burgosën në qeli të vetëm dhe i lanë të vdesin nga uria e etja. Të mbulon frika kur sheh këto skena dhe është e vështirë të mendoni për t'u arratisur", tha B.E.
Midis praktikave brutale që PKK zbaton kundër anëtarëve të saj po ashtu është edhe ndalimi i vizitave në familje që kanë të bëjnë edhe me fëmijët e moshës 13-vjeçare.
B.E. gjithashtu pohon se udhëheqësit e PKK-së kanë kontakte me të huajt.
"Vinin njerëz nga Gjermania. Terroristët e PKK-së para tyre silleshin si të sjellshëm dhe të mirë", thotë B.E.
E pyetur nga gazetari si ishin përvojat e saj pas arratisjes dhe dorëzimit, B.E. tha se nuk kishte përjetuar asnjë gjë të keqe dhe se ka pasur trajtim të mirë nga forcat e sigurisë turke.
"Forcat turke bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundur për të ndihmuar dhe për të shpëtuar ata që janë në male", tha B.E.
Duke i ftuar familjet që t'i mbrojnë fëmijët e tyre dhe që t'i parandalojnë për t'iu bashkuar PKK-së, B.E. tha se këta fëmijë kanë nevojë për arsimim, jo për martesë të detyrueshme.
PKK është një organizatë separatiste në listën e grupeve terroriste në Turqi, në Bashkimin Evropian (BE) dhe neë SHBA. Gjatë fushatës së saj të armatosur tre-dekadëshe kundër Turqisë, terroristët e PKK-së kanë vrarë të paktën 40.000 persona.