Aness Suheil Barghoti
09 janar 2020•Përditësim: 10 janar 2020
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Naftali Bennett, njoftoi një task forcë të re për forcuar aktivitetin e kolonive, vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të okupuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës izraelite "Haaretz", Bennett, që është edhe kryetar i partisë E Djathta e Re (New right), ka krijuar një task forcë të re për të zhvilluar planet për të ardhmen e Zonës C në Bregun Perëndimor dhe më pas të mbrojë atë.
"Gjatë disa javëve të fundit, udhëheqësit e kolonëve në Bregun Perëndimor janë ftuar në seri takimesh ku ata ngritën çështjet që duhet të avancohen në muajt e ardhshëm", njoftoi "Haaretz".
Sipas gazetës, planet e propozuara do të legalizonin vendbanimet e paautorizuara dhe do t'u lejonte individëve izraelitë që të blinin tokë në mënyrë private në Bregun Perëndimor.
"Planet gjithashtu përfshijnë edhe lidhjen e vendbanimeve në ujë dhe energji elektrike", thuhet në raportimin e gazetës.
Burime juridike, që janë në njohuri për planin e ministrit Bennett, thanë për "Haaretz" se plani mund të përballet me disa vështirësi ligjore pasi disa nga lëvizjet e propozuara janë në të vërtetë ekuivalente me aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor.
Rreth 650 mijë kolonë hebrenj aktualisht jetojnë në mbi 100 vendbanime të ndërtuara në mënyrë ilegale që nga viti 1967, kur Izraeli okupoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Palestinezët insistojnë të marrin kontrollin mbi gjithë Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës për të krijuar shtetin e ardhshëm palestinez.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor konsiderohen "territore të pushtuara" dhe se të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve të kolonëve hebrenj janë të paligjshme.