Bota

Tanzani, terroristët sulmojnë rajonin kufitar, 20 të vrarë

Policia thotë se mbi 300 terroristë të DEASH-it kaluan nga Mozambiku fqinj

Ekip  | 22.10.2020 - Përdıtësım : 23.10.2020
Tanzani, terroristët sulmojnë rajonin kufitar, 20 të vrarë

Dar es Salaam

Qindra terroristë që u infiltruan nga Mozambiku verior vranë të paktën 20 civilë në rajonin jugor të Tanzanisë, Mtwara, njoftuan sot policia dhe mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më shumë se 300 terroristë të DEASH-it sulmuan civilët duke dëmtuar pronat dhe detyruan shumë njerëz të braktisnin shtëpitë e tyre.

Një video e tmerrshme që qarkullon në mediat sociale tregon se si terroristët i presin kokën një burri që besohet të jetë nga Tanzania.

Njëri prej tyre mund të dëgjohej duke thënë në gjuhën Kiswahili se nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet e përgjithshme të vendit, të caktuara për më 28 tetor.

Policia tha se sulmuesit hynë në Tanzani përmes lumit Ruvuma dhe bastisën fshatin Kitaya, i cili shtrihet në kufi me provincën e pasur me gaz Cabo Delgado të Mozambikut.

Pa dhënë numra të posaçme, Simon Siro, shefi i policisë së Tanzanisë, tha se disa terroristë janë arrestuar dhe të tjerët kanë ikur.

Ai tha se të dyshuarit po merren në pyetje dhe është nisur një kërkim për ata që kanë ikur përsëri në Mozambik.

Ai u zotua se policia dhe forcat e tjera të sigurisë do të mposhtin "rrjetin e egër të terroristëve, të cilët janë tanzanas dhe mozambikas".

“Nëse vrisni tanzanas, gjaku i tyre nuk mund të shkojë kot. Ne do të bëjmë gjithçka që t'i sjellim ata para drejtësisë", tha Siro.

Dhuna në veri të Mozambikut është intensifikuar gjatë këtij viti ndërsa terroristët sulmojnë caqe të rëndësishme ushtarake dhe madje marin qytetet kryesore.

Sulmet rreth kufirit të Tanzanisë me Mozambikun kanë shtuar rreziqet e sigurisë për investitorët që ndjekin projektet e gazit me miliarda dollarë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın