Bota

Takohen ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian u takuan për të diskutuar për çështje të tilla si situata në Afganistan, Liban, Lindjen e Mesme dhe në Mozambik

Ömer Tuğrul Çam  | 12.07.2021 - Përdıtësım : 13.07.2021
Takohen ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së

Bruksel

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian u takuan për të diskutuar për çështje të tilla si situata në Afganistan, Liban, Lindjen e Mesme dhe në Mozambik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Axhenda zyrtare e Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së e mbledhur në Bruksel përfshin tema të tilla si gjeopolitika e teknologjive të reja dixhitale, dokumenti i "Busullës Strategjike" të BE-së, i cili pritet të hartohet deri në fund të këtij viti dhe çështja e Etiopisë.

Në takim pritet të merret vendimi i Këshillit të BE-së për dërgimin e një misioni trajnues të BE-së në Mozambik për të kontribuar në luftën kundër organizatës terroriste Ansar'ul Sunna.

Në axhendën e takimit është edhe kriza politike dhe ekonomike në Liban. Do të diskutohet ideja e vendosjes së sanksioneve ndaj politikanëve që nuk kontribuojnë në zgjidhjen e krizës në BE. Në lidhje me këtë nuk është marrë asnjë vendim, por çështja është duke u diskutuar në Këshillin Evropian.

Në takimin ministror do të diskutohet gjithashtu edhe për Kaukazin Jugor. Këshilli do të informohet për rezultatet e vizitave të ministrave të Jashtëm të Austrisë, Lituanisë dhe Rumanisë në Gjeorgji, Azerbajxhan dhe Armeni.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së Afganistani është gjithashtu midis pikave të axhendës. Po ashtu pritet të theksohet rëndësia e funksionalitetit të aeroportit të Kabulit pas vendimit të NATO-s për t'u tërhequr nga Afganistani.

Ministrat e Jashtëm do të takohen edhe me ministrin izraelit Lapid

Ministrat e BE-së në drekë do të takohen gjithashtu me ministrin e Jashtëm izraelit, Yair Lapid. Përveç marrëdhënieve BE-Izrael, me Lapid do të diskutohet edhe për çështjet rajonale si Siria, Libani dhe Irani.

Pala e BE-së do të theksojë pozicionin e BE-së ndaj një zgjidhjeje me dy shtete në çështjen Izrael-Palestinë. Në takim do të kërkohen përgjigje për pyetje të tilla si "A mund të ketë një këndvështrim të ri, një qasje të re, veçanërisht në Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, me qeverinë e re në Izrael ose a mund të ringjallet Kuarteti i Lindjes së Mesme?".

Thuhet se pala izraelite do të insistojë në caktimin e një date për ribashkimin e Këshillit të Asociimit BE-Izrael, i cili u mbajt në vitin 2012. Ndërsa theksohet se një vendim i përbashkët nuk është arritur brenda BE-së për këtë çështje dhe se disa vende fillimisht duan të shohin synimet e Izraelit në lidhje me procesin e paqes me Palestinën.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell teksa po hynte në takim tha se vizita e Lapid do të ishte një mundësi e mirë për të "rifilluar" marrëdhëniet BE-Izrael, pasi marrëdhëniet janë përkeqësuar në vitet e fundit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın