Mahmoud Barakat
30 prill 2019•Përditësim: 30 prill 2019
Një civil është vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në sulmet e regjimit të Bashar al-Assadit mbi zonat e banuara në zonat veriore të de-eskalimit, thonë burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Burimet thonë se forcat e regjimit dhe grupet e jashtme terroriste të mbështetura nga Irani kanë sulmuar me raketa dhe mortaja fshatin Hobait të provincës së Idlibit, qytezën Qalaat Al-Madiq të provincës së Hama-s dhe fshatrat Kafrnabuda, Al-Huwaiz, Al-Huwaija, Al-Tuwayna dhe Al-Kirkat.
Një civil ka humbur jetën në Kafrnabuda dhe gjashtë të tjerë u lënduan në fshatrat Hobait dhe Al-Huwaiz, bazuar në burimet që flasin në kushte anonimiteti për shkak të ndalesave për t’u prononcuar për mediat.
Sipas burimeve të njëjta, një qendër mjekimi u sulmua nga avionët e regjimit në fshatin Hobait, duke e bërë qendrën të papërdorshme.
Gjithashtu, avionët goditën edhe një shkollë në fshatin Al-Kassabiya të provincës Idlib.
Sipas observatorit të avionëve të opozitës siriane, sulmet në fshatrat Kafrnabuda dhe Al-Kassabiya u kryen nga avionë luftarakë rusë që u ngritën nga baza ajrore Khmeimim në provincën perëndimore siriane Latakia.
Shtatorin e kaluar, Rusia dhe Turqia u dakorduan për të shndërruar Idlibin në zonë të de-eskalimit në të cilën rreptësisht do të ndaloheshin aktet agresive.
Siria sapo ka filluar të dalë nga konflikti shkatërrimtar që filloi në vitin 2011, kur regjimi i Assadit shtypi protestuesit me një egërsi të papritur.