Gamze Türkoğlu Oğuz
21 Prill 2019•Përditësim: 22 Prill 2019
Të paktën 207 persona kanë humbur jetën dhe 450 kanë ngelur të plagosur si pasojë e sulmit ndaj kishave dhe hoteleve në Sri Lankë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në orët e mëngjesit në vend janë kryer sulme ndaj një kishe në Batticaloa, ndaj kishave St. Anthony's në Kochchikade dhe St.Sebastian në Katana si dhe ndaj hoteleve me pesë yje Shangri-La, Cinnamon Grand dhe Kingsbury në kryeqytetin Colombo.
Pas sulmeve të mëngjesit, në Kopshtin Zoologjik në periferinë e kryeqytetit, në Dehiwala, ndodhi shpërthimi i shtatëtë, ndërsa pas sulmit të tetë u shpall orë policore.
Sipas policisë, bilanci aktual i të vdekurve është 207, prej të cilëve 27 janë shtetas të huaj, kurse 450 të tjerë janë plagosur. Nga informacionet e marra nga burimet diplomatike, në sulme kanë humbur jetën dy shtetas turq, inxhinierë.

Përgjegjësinë mbi sulmet, prej të cilëve të paktën dy janë sulme kamikaze, ende nuk e ka marrë askush. Ministri i Mbrojtjes i Sri Lankës, Ruwan Wijewardane, tha se shtatë të dyshuar janë arrestuar.
Me urdhër të presidentit, nga ora 18.00 deri orën 06:00 të mëngjesit sipas kohës lokale do të zbatohet ora policore.
"Kam dhënë urdhër që të ndërmerren veprime të fuqishme kundër personave përgjegjës për këtë komplot", tha presidenti i Sri Lankës, Maithripala Sirisena në deklaratën e tij, duke kërkuar nga qytetarët që të ruajnë paqen dhe të mos bien pre e provokimeve dhe dezinformatave.
"U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Sri Lankës që të qëndrojnë së bashku dhe të fortë në këtë periudhë tragjike", u shpreh kryeministri Ranil Wickremesinghe.
Ndërsa ministri i Financave, Mangala Samaraweera, në llogarinë e tij në Twitter, sulmin e përshkroi si "përpjekje e koordinuar shumë mirë për të krijuar anarki dhe kaos, e cila shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm".
Qeveria e Sri Lankës ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, për parandalimin e përhapjes së lajmeve të pabaza.
Turqia dënoi sulmin
"E dënoj ashpër dhe në mënyrë të fuqishme e mallkoj sulmin jo human në tempujt fetarë. Ky sulm barbar, edhe një herë ka demonstruar nevojën për një luftë vendimtare me të gjitha format kundër terrorit", tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në deklaratën me shkrim.
Nëpërmjet një postimi nga llogaria e tij në Twitter, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu tha: "Mallkoj sulmet terroriste me objektiv njerëzit e pafajshëm gjatë ceremonive të pashkëve në kishat dhe hotelet në Sri Lankë".

Lidhur me sulmin reagoi edhe Ministria e Jashtme e Turqisë, duke theksuar se sulmi është një provokim i qëllimshëm dhe se nuk ka dallim me sulmin ndaj muslimanëve në xhamitë në Zelandën e Re.
Shefi i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Prof. Dr. Fahrettin Altun, në postimin e tij në Twitter tha se: "Dënoj ashpër sulmet terroriste që kanë shënjestruar njerëzit e pafajshëm në shumë vende të Sri Lankës, përfshirë edhe kishat. Ky sulm ishte bërë kundër gjithë njerëzimit. Ndajmë dhimbjet e popullit të Sri Lankës si një vend që lufton kundër çdo lloj terrorizmi".