Ahmet Dursun
06 Dhjetor 2018•Përditësim: 06 Dhjetor 2018
ANKARA (AA) - Të paktën 4 persona u vranë dhe 27 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me bombë i cili kishte objektiv drejtorinë e policisë në qytetin Çabahar, në rajonin Sistan dhe Baluçistan në juglindje të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Televizioni shtetëror iranian njoftoi se një sulm me autobombë është kryer pranë drejtorisë së policisë në bulevardin Rigi në qytetin Çabahar.
Zv.kryetari i bashkisë Çabahar, Rehmeld Bameri, në një deklaratë për shtyp ka theksuar se sulmi është kryer me një kamion të ngarkuar me bombë.
Terroristi në kamionin me bombë i cili ka tentuar të hyjë brenda drejtorisë së policisë ka shpërthyer autobombën në hyrje të ndërtesës pasi është përballur me ndërhyrjen e forcave të sigurisë", tha Bameri duke konfirmuar se sulmi kamikaz është kryer në orën 09.55 me orën lokale.
Ndër të tjera Bameri ka njoftuar se në sulm kanë humbur jetën 4 persona dhe se janë plagosur shumë të tjerë në mesin e të cilëve ka civilë dhe policë.
Në një deklaratë nga drejtoria e shëndetësisë në rajonin Çabahar është dhënë informacioni se në spital janë dërguar 27 persona që janë plagosur në sulm.
- Pretendohet se sulmin e ka marrë përsipër organizata "Ensaru'l Furkan"
Sipas lajmeve në median iraniane pretendohet se autorësia e sulmit është marrë përsipër organizata e emëruar "Ensaru'l Furkan".
Theksohet se organizata "Ensaru'l Furkan" herë pas here në rajonin Sistan dhe Beluçistan kryen sulme kundër forcave iraniane të sigurisë.