Felix Nkambeh Tih
14 Tetor 2020•Përditësim: 14 Tetor 2020
Disa ushtarë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në dy sulme të ndara në qendër të Malit, njoftoi ushtria në një deklaratë të martën vonë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Persona të armatosur dhe të paidentifikuar sulmuan pikën ushtarake Sokoura të martën në rajonin Mopti, sipas Forcave të Armatosura të Malit.
Ushtria tha se u morën masa urgjente në zonë, afër qytetit Bankass, kurse trupat janë në gatishmëri në një operacion të vazhdueshëm për të gjurmuar sulmuesit.
Një njësit, i cili u dërgua si përforcim për operacionin kishte rënë në pritë pranë qytetit Paroukou.
Aktualisht raportohet për 11 ushtarë të vdekur, duke përfshirë nëntë në Sokoura dhe dy në Paroukou. Ushtria tha se ndërmori një sulm ajror i cili la të vrarë 13 terroristë dhe shkatërroi dy automjete.
"Me pikëllim të thellë nga këto dy sulme, ministri i Mbrojtjes dhe Çështjeve të Veteranëve lutet për mëshirën hyjnore për ata që humbën jetën, shërim të shpejtë për të plagosurit dhe u dërgon ngushëllimet e tij familjeve të prekura", thuhet në deklaratë.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmit deri më tani, por sulme të ngjashme zakonisht pretendohen nga Al-Kaeda në Magrebin Islam (AQIM).
Pavarësisht nga prania e forcave paqeruajtëse franceze dhe të OKB-së në Mali, grupet e armatosura janë akoma shumë aktive në vendin e Afrikës Perëndimore.
Ndërkohë, junta ushtarake rrëzoi presidentin Ibrahim Boubacar Keita në gusht dhe premtoi të fitonte luftën kundër terrorizmit në Mali.
Që nga viti 2012, militantët kanë kryer sulme të dhunshme në pjesën veriore dhe qendrore të Malit, duke vrarë mijëra ushtarë dhe civilë.
Vitin e kaluar, të paktën 456 civilë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën vetëm në pjesën qendrore të Malit, sipas Human Rights Watch.