Bota

Sulm nga regjimi i Asadit në Idlib, 4 të vdekur

Që nga orët e natës, avionët e regjimit të Asadit dhe Rusisë kanë vazhduar sulmet ajrore në rajone të ndryshme të zonës së deeskalimit

Eşref Musa, Burak Karacaoğlu  | 26.06.2019 - Përdıtësım : 26.06.2019
Sulm nga regjimi i Asadit në Idlib, 4 të vdekur

Idlib

Katër civilë kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore të regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë nga orët e natës në Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët e regjimit nga orët e natës kanë ndërmarrë sulme ajrore përreth qendrës së qytetit të Idlibit, në qytezën Marratinnuman, si dhe në fshatrat Kefer Sexhne, Hamidije, Hazarin, Rub'e al-Xhuz, Bsida, Hish, Sellt Ez Zuhur dhe Kirisaa në zonën e deeskalimit të Idlibit.

Nga një civil ka humbur jetën në Marratinnuman dhe Hamidije dhe dy në Sellt Ez Zuhur.

Mbrojtja e Civile, e njohur si Helmetat e Bardha, është duke i vazhduar aktivitetet e shpëtimit, ndërkohë që janë shprehur shqetësime nga rritja e mundshme e numrit të viktimave.

Nga ana tjetër, sulme janë ndërmarrë edhe nga avionët rusë në fshatin Rub'e El Xhuz, i cili gjendet në Hama dhe bën pjesë brenda zonës së deeskalimit.

Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht Marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) ka bërë të ditur se 487 civilë janë vrarë dhe 1.495 janë plagosur nga sulmet e regjimit dhe mbështetësve të tij në zonën e deeskalimit nga 26 prilli deri më 23 qershor.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın