Enes Canlı
06 Tetor 2023•Përditësim: 06 Tetor 2023
Në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, janë hedhur kokteje molotovi në një sinagogë ndërsa muret e saj janë dëmtuar me bojë, transmeton Anadolu.
Sipas shtypit izraelit, kokteje molotovi u hodhën në një sinagogë në Jerevan, dritaret e saj janë thyer ndërsa muret e saj janë lyer me bojë. Mësohet se molotovi i hedhur nuk është djegur, por se është dëmtuar ndërtesa.
Sipas lajmit të Organizatës së Transmetimeve Publike Izraelite (KAN), një grup i quajtur "Luftëtarët e rinj të Armenisë" mori përgjegjësinë për sulmin. Grupi, i cili akuzoi Izraelin dhe hebrenjtë e botës për "mbështetje të Azerbajxhanit" tha se: "Hebrenjtë janë armiqtë e popullit armen".
Grupi në fjalë e përshkroi këtë sulm si një "paralajmërim" dhe kërcënoi se "do të djegë sinagogat në vende të tjera" nëse rabinët hebrenj në SHBA dhe Evropë mbështesin Qeverinë e Azerbajxhanit.
President i Konfederatës së Rabinëve në Evropë, Pinchas Goldschmidt e përshkroi sulmin si "të rrezikshëm" dhe i bëri thirrje qeverisë armene që "të rrisë sigurinë e sinagogave dhe të gjejë përgjegjësit për sulmin antisemitik dhe t'i nxjerrë para drejtësisë".
Në deklaratën e saj në platformën e mediave sociale X, Ministria e Jashtme e Armenisë dënoi sulmin në fjalë dhe deklaroi se "nuk ka vend për urrejtje dhe intolerancë" në Armeni.