Şerife Çetin
29 Maj 2018•Përditësim: 29 Maj 2018
BRUKSEL (AA) - Personi i cili vrau 3 persona prej të cilëve 2 policë në qytetin Liege të Belgjikës, theksohet se është shtetas belg i cili ka dalë rishtazi nga burgu, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta Le Soir, shkroi se sulmuesi është shtetasi belg, Benjamin Herman, i lindur në vitin 1985. Në lajm është bërë ditur se sulmuesi ka qenë i burgosur në burgun Lantin për shkak të vjedhjes, ndërsa dje është liruar.
"Sulmuesi i plagosi dy policët dhe pastaj u mori armët. Më pas vrau dy policët. Pas kësaj vrau edhe një person tjetër 22 vjeçar që gjendej në automjet", thuhet në deklaratën e Prokurorisë Liege.
Sulmuesi më pas ka hyrë në një shkollë të mesme ku ka marrë peng një grua. Ndërsa në operacionin e policisë janë plagosur edhe dy policë, kurse sulmuesi është neutralizuar.
"Qendra e Krizës Federale është duke e ndjekur rastin. Jemi në procesin e hetimit se çfarë ka ndodhur", shkroi ministri i Brendshëm i Belgjikës, Jan Jambon nga Twitter.
Ndërsa kryeministri belg, Charles Michel, në deklaratën e tij tha se "Jemi duke e ndjekur situatën me ministrinë e brendshme dhe drejtësisë. Shpreh ngushëllimet për të plagosurit dhe familjet e viktimave në emër të qeverisë sonë".