Mohamed Sabry Emam Muhammed
03 Qershor 2019•Përditësim: 03 Qershor 2019
Të paktën nëntë protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi forcat e sigurisë sudaneze intervenuan për të pastruar kampin kryesor protestues pranë Ministrisë së Mbrojtjes në kryeqytetin Khartoum, njoftuan organizatorët e protestës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shoqata e Profesionistëve Sudanezë (SPA) tha se ushtria ka përdorur forcë të tepruar për të shpërndarë protestuesit.
"Milicia e qeverisë ka sulmuar në mënyrë agresive mijëra civilë që protestonin duke qëndruar ulur", tha SPA në një deklaratë.
Komiteti Qendror i Mjekësve të Sudanit (CCSD) tha se nëntë protestues janë vrarë dhe dhe dhjetëra janë plagosur gjatë ndërhyrjes së ushtrisë.
Sipas dëshmitarëve okularë, negociatori i opozitës Abbas Medani është plagosur rëndë gjatë ndërhyrjes.
Lajmet e mëparshme njoftuan për pesë të vdekur.
Demonstruesit në protestat me ulje pranë ministrisë kanë kërkuar që Këshilli Ushtarak Kalimtar, i cili mori qeverisjen pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir në muajin prill, t'ia dorëzojë pushtetin një qeverie civile.
"Ne e mbajmë Këshillin Ushtarak Kalimtar përgjegjës për atë që ndodhi këtë mëngjes", tha SPA, duke u bërë thirrje protestuesve "për t'u bashkuar me në uljen protestuese për t'i rezistuar kësaj përpjekjeje".
Protestat në Sudan fillimisht nisën më 19 dhjetor të vitit të kaluar kundër krizës ekonomike dhe u përhapën me shpejtësi në kryeqytetin Khartoum dhe në gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta kundër regjimit.
Më 11 prill, ushtria sudaneze njoftoi përfundimin e periudhës së Al-Bashirit pas disa muajve të protestave popullore kundër qeverisjes së tij 30-vjeçare.
Këshilli ushtarak vendosi një periudhë dyvjeçare kalimtare gjatë së cilës është zotuar të organizojë zgjedhje presidenciale.
Demonstruesit, megjithatë, kanë mbetur në rrugë për të kërkuar që ushtria të heqë dorë nga pushteti dhe t'ia dorëzojë atë një autoriteti civil.