Ekip
02 Qershor 2019•Përditësim: 03 Qershor 2019
Komisioni Kushtetues i Algjerisë, sot bëri të ditur se nuk do të mbahen zgjedhjet presidenciale të planifikuara më 4 korrik, me çka vazhdon kriza e thellë politike në këtë vend afrikan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Javën e kaluar ka skaduar afati për paraqitjen e kërkesave për kandidim ndërsa Komisioni Kushtetues i Algjerisë sot njoftoi se janë refuzuar kandidaturat e dy kandidatëve të cilët për opinionin publik janë figura të panjohura.
Në njoftim thuhet se presidenti i përkohshëm i Algjerisë, Abdelkader Bensalah duhet të caktojë një datë të re të zgjedhjeve. Nuk jepen detaje tjera për refuzimin e kandidaturave të tyre.
Nën presionin e protestave masive kundër qeverisë disa dekadashe të presidentit algjerian Abdelaziz Bouteflika më 2 prill ai dha dorëheqjen, ndërkaq si kreu i përkohshëm i shtetit u emërua Bensalah.
Bensalah shpalli zgjedhjet presidenciale më 4 korrik, por opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për bojkot me kërkesë që nga establishmenti të largohen mbetjet nga regjimi i Bouteflikas dhe të organizojë zgjedhje transparente.
Mandati i presidentit të përkohshëm Bensalah përfundon më 9 korrik dhe është e qartë se kriza politike në atë vend do të vazhdojë.
Legjislacioni algjerian nuk ka dispozita të sakta që përcaktojnë procesin e tranzicionit në rast të bojkotit të zgjedhjeve.