Studim: Myshku mbijeton 9 muaj në hapësirë
Sporet e myshkut të ekspozuara në pjesën e jashtme të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor mbetën të gjalla pas ekspozimit të zgjatur ndaj kushteve të ashpra të hapësirës
Stamboll
Shkencëtarët thonë se myshku mund t’i mbijetojë ekspozimit të zgjatur në vakumin e hapësirës, duke krijuar mundësi të reja për rritjen e bimëve përtej Tokës, transmeton Anadolu.
Për nëntë muaj në vitin 2022, sporet e myshkut ‘Physcomitrium patens’ ishin të bashkangjitura në pjesën e jashtme të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, të ekspozuara plotësisht ndaj kushteve të ashpra, duke përfshirë rrezatimin, temperaturat ekstreme dhe vakumin e hapësirës.
Sipas një studimi të botuar në revistën ‘iScience’, kur myshku u kthye në Tokë, studiuesit zbuluan se më shumë se 80 për qind e sporeve mbetën të gjalla dhe mund të ri-prodhoheshin ende.
“Sporet e ruajtën vitalitetin e tyre pas nëntë muajsh në hapësirë të hapur”, theksoi studimi.
Studiuesit sugjerojnë se strukturat mbrojtëse rreth sporeve, të quajtura ‘sporangia’, mund t’i mbrojnë ato nga rrezatimi ultravjollcë, nxehtësia dhe drita intensive.
Gjetjet nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e briofiteve, një grup bimësh që përfshin myshqet, si dhe tregojnë për zbatime të mundshme në eksplorimin e hapësirës, duke përfshirë gjelbërimin planetar dhe sistemet e mbështetjes së jetës.
“Kuptimi i kufijve të mbijetesës së jetës është i rëndësishëm për t’u përballur me sfidat globale dhe për të mbështetur banimin e ardhshëm njerëzor përtej Tokës”, thuhet në studim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
