Tayfun Salcı
10 Shtator 2017•Përditësim: 11 Shtator 2017
LONDËR (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot se sjellja e papërgjegjshme e Koresë së Veriut është një kërcënim global dhe se reagimi ndaj këtij kërcënimi duhet të jetë i natyrës globale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për BBC, Stoltenberg theksoi se NATO ndjek nga afër situatën në Gadishullin Korean, sepse Koreja e Jugut dhe Japonia janë partnerët e saj të ngushtë.
"I bëjmë thirrje Koresë së Veriut të heqë dorë nga zhvillimi i një programi bërthamor dhe të mos kryejë testime provokative bërthamore", tha Stoltenberg, duke shtuar se këto ishin shkelje të rënda të normave ndërkombëtare dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).
I pyetur nëse Neni 5 i Marrëveshjes së NATO-s do të aktivizohet në rast të një sulmi të Koresë së Veriut ndaj ishullit amerikan të Guamit, Stoltenberg tha se nuk dëshiron të spekulojë për këtë rast të veçantë.
"Aktualisht jemi përqendruar për të kontribuar në tejkalimin paqësor të krizës dhe për të bërë presion ndaj Koresë së Veriut që të heqë dorë nga programi bërthamor", tha Stoltenberg, duke shtuar se sanksionet e OKB-së janë aktualisht mjeti më i mirë për të ushtruar presion mbi regjimin në Phenian.
Stoltenberg gjithashtu komentoi stërvitjet ushtarake të kryera nga ushtria ruse. Ai tha se të gjitha vendet kanë të drejtë ta bëjnë atë, por se në rastin rus problemi ishte që stërvitjet nuk ishin transparente.
"Ne pamë më parë se si Rusia stërvitjet ushtarake i përdorte si një front për sulmet ndaj vendeve fqinje. Kështu ishte rasti në Gjeorgji në vitin 2008, kur ata pushtuan atë vend. Ashtu ishte edhe në rastin në Krime në vitin 2014, kur Rusia kreu një aneksim të paligjshëm. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Rusisë të jetë plotësisht transparente", tha Stoltenberg.
Duke kujtuar se Marrëveshja e Vjenës kërkon që të gjitha stërvitjet ushtarake që përfshijnë pjesëmarrjen e më shumë se 13.000 ushtarëve duhet të mbikëqyren nga vëzhguesit ndërkombëtarë, Stoltenberg tha se Rusia tregon se në stërvitje marrin pjesë më pak ushtarë për të shmangur mbikëqyrjen ndërkombëtare.