17 Tetor 2022•Përditësim: 19 Tetor 2022
Mbikëqyrësi i konkurrencës në Spanjë ka bërë të ditur se po heton agjencinë holandeze online të udhëtimeve ‘booking.com’ për praktika të mundshme të padrejta që dëmtojnë hotelet dhe agjencitë e udhëtimit në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Kombëtar i Tregjeve dhe Konkurrencës (CNMC) i Spanjës tha se sjellja e gjigandit ‘booking.com’ mund të përbëjë abuzim me pozicionin e tij dominues në treg.
Hetimi do të fokusohet nëse agjencia holandeze ka vendosur kushte të padrejta për hotelet në Spanjë dhe nëse ka shfrytëzuar situatat e “varësisë ekonomike” të hoteleve.
Procedurat gjithashtu do të përcaktojnë nëse politikat e ‘booking.com’ kanë “efekte përjashtuese” në agjencitë e tjera online të udhëtimit ose kanalet e shitjes.
Sipas kompanisë së bazës së të dhëna ‘Statista’, në vitin 2021 ‘booking.com’ ka pasur një aksion prej 71 për qind në tregun e agjencive online të udhëtimit në Evropë.
Hetimi rrjedh nga dy ankesa të paraqitura nga shoqatat spanjolle të hoteleve, të cilat i dhanë CNMC-së arsyet për të besuar se ‘booking.com’ ka shkelur tre nene të ligjit spanjoll të konkurrencës.
Në përgjigje, ‘booking.com’ tha se “do të vazhdojë të bashkëpunojë me CNMC-në në pyetjet e tyre”.
Kompania gjithashtu këmbëngul se do të punojë në “bashkëpunim me partnerët tanë të akomodimit në ekosistemin e udhëtimit, i cili vetëm kohët e fundit ka parë shenja të rimëkëmbjes derisa ne hyjmë në një të ardhme të mëtejshme të pasigurt me mjedisin ekonomik global”.
CNMC-ja ka tashmë 18 muaj për të kryer hetimin dhe për të marrë një vendim përfundimtar.