Bota

Spanja fillon përgatitjet për një "Brexit pa marrëveshje"

Qeveria do të organizojë një konferencë ku do të marrin pjesë krerët e 17 qeverive autonome në vend për të bërë informimin e nevojshëm për masat që do të merren në rast të një Brexit-i pa marrëveshje

Şenhan Bolelli  | 05.09.2019 - Përdıtësım : 06.09.2019
Spanja fillon përgatitjet për një "Brexit pa marrëveshje"

Madrid

Qeveria e Spanjës ka filluar përgatitjet pas rritjes së mundësisë së ndarjes pa marrëveshje më 31 tetor mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave për të rishikuar planet e emergjencës që do të hyjnë në fuqi për mundësinë e një Brexit-i pa marrëveshje.

Në informacionet e rrjedhura në shtyp në lidhje me takimin e zhvilluar në rezidencën kryeministrore Moncloa, thuhet se kryesisht u diskutuan problemet me përparësi për bashkëpunimin e sigurisë mes Spanjës dhe Britanisë, masat shtesë që lidhen me doganat e mallrave tregtare që vijnë nga Britania në Spanjë, qasja në tregjet e të dyja vendeve si dhe transporti në administratën autonome të Gjibraltarit.

Bëhet e ditur se qeveria do të organizojë një konferencë ku do të marrin pjesë krerët e 17 qeverive autonome në vend për të bërë informimin e nevojshëm për masat që do të merren në rast të një Brexit-i pa marrëveshje.

Poashtu është ndarë informacioni se "Komisioni Ndërministror për Brexit-in" i formuar nga qeveria do të zhvillojë mbledhje javore për të kontrolluar përgatitjet lidhur me Brexit-in.

Më tej thuhet se në mbledhjen e mbajtur në Moncloa është diskutuar edhe për situatën pas një Brexit-i të mundshëm për 300 mijë britanikë që jetojnë në Spanjë dhe për 175 mijë spanjollë që jetojnë në Britani.

Në anën tjetër shtypi spanjoll ka shkruar se Spanja është një prej vendeve që do të ndikohet më shumë nga Brexit-i dhe ka rikujtuar se britanikët janë në vendin e parë në mesin e turistëve të huaj që vijnë në Spanjë dhe se Britania është zgjedhja e parë e investitorëve spanjollë.

Për më tepër, janë bërë komente se Gjibraltari, i cili ndodhet në kufirin jugor të Spanjës dhe ka një administrim autonom si koloni e Britanisë, ka mbetur një problem në rritje mes dy vendeve pas Brexit-it.

Procesi i Brexit-it

Kryeministri britanik Boris Johnson shpeshherë ka përsëritur vendosmërinë e tij për të ndarë Britaninë nga BE-ja, me ose pa një marrëveshje më 31 tetor.

Marrëveshja për Brexit-in që ish-kryeministrja Theresa May arriti me BE-në është refuzuar tre herë në Parlament.

Pas vendimit të May për të dhënë dorëheqjen, Johnson u zgjodh kryeministër me votat e rreth 150 mijë anëtarëve të Partisë Konservatore.

Parlamenti britanik parandaloi Brexit-in pa marrëveshje që duhej të realizohej më 29 mars duke miratuar një ligj dhe më pas qeveria me miratimin e BE-së e shtyu Brexit-in deri më 31 tetor.

Në referendumin e vitit 2016, Britania e Madhe vendosi të largohej nga BE-ja me 52 për qind 'pro' ndërsa 48 për qind ishin 'kundër'.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.