Ekip
25 Shkurt 2022•Përditësim: 27 Shkurt 2022
Spanja është në proces të evakuimit të ambasadorit të saj në Ukrainë dhe qytetarëve të tjerë të saj, tha sot ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Derisa forcat ruse përparuan drejt Kievit, rreth 100 qytetarë spanjollë, përfshirë personelin e ambasadës, u shoqëruan nga autoritetet”, tha Jose Manuel Albares.
Ai shtoi se 100 shtetas të tjerë spanjollë në Ukrainë refuzuan të largoheshin, edhe pse atyre iu ofrua kjo mundësi.
Të premten, ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles u tha gazetarëve se "nuk do të ketë trupa të NATO-s në Ukrainë".
Ajo shtoi se Spanja po ndihmon NATO-n të forcojë praninë e saj në vendet anëtare si Bullgaria dhe Rumania, të cilat Spanja do t'i mbrojë në rast të agresionit rus.
Udhëheqësit spanjollë dënuan me forcë sulmet ruse dhe premtuan solidaritet me Ukrainën.
Një diplomat i lartë ukrainas në Spanjë ka kërkuar mbështetje më të drejtpërdrejt.
"Ne kemi nevojë për parzmoret e trupit, helmeta dhe sende të tjera që mund të përmirësojnë kapacitetin mbrojtës të vendit", tha Dmytro Matiuschenko të enjten.
Spanja i është bashkuar BE-së për të vendosur sanksione ndaj regjimit rus.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha në Bruksel të premten se sanksionet do të shkaktonin dhimbje të rënda ekonomike për qeverinë e Putinit dhe ishin në përpjesëtim me sulmin rus.