Somalia dhe Turqia nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit detar
Qeveria somaleze raportohet se po ndërmerr masa urgjente për të zbutur pasojat e thatësirës së vazhdueshme dhe ndikimin e saj në furnizimin me ujë dhe ushqim në vend
Mogadishu
Kabineti federal i Somalisë gjatë një mbledhje të rregullt ka miratuar disa marrëveshje dhe kontrata kyçe në fushën e tregtisë detare, përfshirë edhe një marrëveshje për bashkëpunim detar me Turqinë, transmeton Anadolu.
Qeveria somaleze raportohet se po ndërmerr masa urgjente për të zbutur pasojat e thatësirës së vazhdueshme dhe ndikimin e saj në furnizimin me ujë dhe ushqim në vend.
Gjatë mbledhjes së kryesuar nga kryeministri Hamza Abdi Barre u miratua një ligj nën një skemë të vetme për krijimin e një fondi kombëtar për menaxhimin e fatkeqësive dhe rreziqeve, me qëllim rregullimin e proceseve të përgatitjes, parandalimit dhe reagimit ndaj fatkeqësive natyrore dhe të atyre të shkaktuara nga njeriu.
Rregullorja synon të rrisë solidaritetin publik dhe institucional për këtë çështje.
Kabineti somalez miratoi gjithashtu marrëveshje dhe politika të tjera për forcimin e kapaciteteve institucionale të organeve përkatëse dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Në mënyrë specifike, u miratuan Konventa Ndërkombëtare për Matjen e Tonazhit të Anijeve e vitit 1969, Konventa Ndërkombëtare e Nairobit për Heqjen e Anijeve të Fundosura e vitit 2007, si dhe Konventa e Punës Detare e vitit 2006.
Njëra nga këto marrëveshje lidhej me bashkëpunimin detar ndërmjet Republikës Federale të Somalisë dhe Turqisë.
Marrëveshja e re përfshin zhvillimin e tregtisë detare, përmirësimin e trafikut të anijeve, modernizimin e shërbimeve portuale, njohjen reciproke të certifikatave të aftësisë së detarëve, bashkëpunimin teknik dhe shkëmbimin e njohurive, sigurimin e barazisë në shërbimet portuale, si dhe lehtësimin e aktiviteteve tregtare.
Bashkëpunimi Turqi-Somali është zhvilluar në mënyrë shumëdimensionale që nga viti 2011, veçanërisht në ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe zhvillim.
Ministri somalez Porteve dhe Transportit Detar, Abdulkadir Mohamed Nur, në platformën sociale amerikane X përgëzoi kabinetin për miratimin e “një pakete marrëveshjesh strategjike detare që shënojnë një përparim të rëndësishëm në forcimin e qeverisjes detare të Somalisë dhe pozitës së saj ndërkombëtare”.
“Përmes bashkëpunimit të shtuar me Republikën e Turqisë dhe aderimit në konventa kyçe ndërkombëtare, ne po modernizojmë portet tona, po promovojmë tregti detare të sigurt dhe efikase, po mbrojmë mjedisin detar dhe po garantojmë të drejtat dhe mirëqenien e detarëve tanë”, tha ministri somalez.
Ai shtoi se hapat për integrimin e Somalisë në sistemin global detar do të rrisin standardet detare të vendit për të ndërtuar “një sektor detar të qëndrueshëm, konkurrues dhe rezistent që mbështet zhvillimin kombëtar”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
