Barış Seçkin
05 Dhjetor 2016•Përditësim: 06 Dhjetor 2016
ROMË (AA) – Populli italian i tha “jo” ndryshimeve kushtetuese në referendumin në të cilin kishte pjesëmarrje në nivel rekord, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Italinë me sistemin ligjvënës dydhomësh, u shpallën rezultatet e referendumit që synonte përshpejtimin e procesit ligjvënës duke e ulur në masë të madhe autoritetin ligjvënës të Senatit Republikan, që paraqet Dhomën e Lartë të parlamentit, dhe që parashihte reforma kushtetuese në gjithsej 47 nene.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në referendum kanë marrë pjesë 65.47 përqind nga afërsisht 51 milionë votues të regjistruar brenda dhe jashtë vendit.
Hapja e qendrave të votimit është përfunduar në tërësi, nga të cilat ka rezultuar që 40.89 përqind e votuesve kanë votuar pro, ndërsa 59.11 përqind prej tyre kundër reformave.
Sipas rezultateve të votimit, në vetëm 3 nga 20 rajonet administrative të Italisë votat pro kanë qenë më shumë se votat kundër. Këto rajone ishin Alto-Adige, Emilia Romagna dhe vendlindja e kryeministrit Matteo Renzi, Toskana, të gjitha këto në veri të Italisë.
Po ashtu, votat “Po” dolën të jenë të numërta edhe jashtë vendit. Ndërkaq, në 17 rajonet e ngelura dominuan votat “Jo”. Vendet me epërsi të madhe të votave “Jo” ishin dy ishujt me strukturë autonome, Sardinia dhe Sicilia. Në të dy ishujt, më shumë se 70 përqind e pjesëmarrësve votuan kundër reformave kushtetuese.

Çfarë do të ndodhë tani e tutje?
Me daljen e rezultatit “kundër” reformave kushtetuese, në Itali mund të paraqitet një proces pasigurie i cili nuk u levërdis shumë tregjeve dhe qarqeve të BE-së.
Renzi, i cili disfatën e rëndë e pranoi qysh me daljen e rezultateve të para jozyrtare, e shpalosi dorëheqjen e tij në konferencën për media të cilën e organizoi natën në pallatin e kryeministrisë.
Renzi sot pasdite mbledh këshillin e ministrave, kurse më vonë do të takohet me presidentin Sergio Mattarella. Pritet që gjatë këtij takimi Renzi ta paraqesë dorëheqjen e kabinetit të tij.
Vendimi të cilin presidenti Sergio Mattarella do ta japë pas këshillimeve politike, kanë rëndësi të madhe si për stabilitetin politik, ashtu edhe atë financiar të vendit, si dhe nga aspekti i marrëdhënieve me BE-në. Në këtë faze, fokusi më i madh do të jetë në kreun e shtetit.
Alternativat që ndodhen para Mattarellas
Skenarët e parë që fliten për vendin është se Mattarella do të kërkojë nga Renzi ta dërgojë vendin menjëherë në zgjedhje dhe gjatë kësaj periudhe të ngelet në detyrë; të krijojë një qeveri teknokratike koalicioni me partitë e tjera politike në kuvend, nën udhëheqjen e një parlamentari nga partia e Renzit e cila posedon shumicën në të dy dhomat e parlamentit; ose vendi të qeveriset nga një kabinet teknokratik deri në kohën normale të zgjedhjeve, konkretisht deri në vitin 2018.
Në deklaratën para referendumit, kryeministri Renzi njoftoi se nuk do të jetë lider i një kabineti teknokratik që mund të krijohet.
Detyra e parë e qeverisë që do të krijohet do të jetë të miratojë një ligj elektoral, meqenëse vendi nuk ka ligj të vlefshëm elektoral. Arsyeja për këtë është se Gjykata Kushtetuese në vitin 2013 anuloi amandamentin aktual elektoral duke u arsyetuar në padrejtësinë në përfaqësim.
Pas këtij zhvillimi, qeveria Renzi kishte përgatitur një ligj elektoral me emrin “Italicum” që do ta plotësonte reformën në senat, por e cila dje u mohua me referendum. Megjithatë, edhe ky ligj i miratuar në parlament ishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese me arsyetimin se partisë së parë i kishte dhënë më shumë ulëse sesa që meriton. Vendimi që Gjykata Kushtetuese do ta japë për të ardhmen e Italicumit ka rëndësi të. Miratimi i një ligji elektoral nga qeveria dhe organizimi i zgjedhjeve pas kësaj janë në mesin e skenarëve të përfolur.
“Pas shpalljes së rezultateve të referendumit 'kundër' reformave kushtetuese, një skenar tjetër për të cilin flitet me një ton më të ulët është se Mattarella mund të kërkojë nga Renzi që ky i fundit të kërkojë votëbesim në parlament në mënyrë që Italia me stabilitet të thyer financiar dhe banka të ngulfatura nga kredi problematike të mos ndikohet nga kjo tablo politike, dhe që Renzit, për të cilin duket se ka numër të madh të votëbesimit në parlamet, t’i jepet edhe një rast duke qëndruar në funksion deri në zgjedhjet e ardhshme normale, konkretisht edhe 15 muaj.