Mohamad Misto
05 Qershor 2017•Përditësim: 06 Qershor 2017
DERA/ANKARA (AA) - Regjimi i Bashar al-Asadit dhe grupet e huaja terroriste që mbështesin atë, janë duke organizuar sulme intensive në qytetin Dera në jug të Sirisë, ku opozita ushtarake është kundërvënë për ta penguar avancimin e regjimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga burime lokale, gjatë fundjavës regjimi ka ndërmarrë së paku 150 sulme ajrore në Dera, ku prej një kohe është përqendruar.
Qyteti është goditur me bomba fuçi dhe raketa të improvizuara ndërsa forcat e huaja milice sulmojnë nga toka.
Të rrezikuara nga sulmet intensive kanë qenë disa lagje në Dera Beled (qytetin e vjetër) dhe rajoni Nuajma në lindje të qytetit.
Si pasojë e sulmeve, shumë fusha janë djegur dhe ndërtesat në qendër të qytetit kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa dhjetra civilë janë plagosur.
Si rezultat i sulmeve, forcat e regjimit shënuan avancim. Megjithatë, avancimi i tyre është penguar nga opozitarët, të cilët kanë kthyer kontrollin e pikave të humbura.
Qyteti i Deras përbëhet nga dy pjesë, Dera Mahata (qyteti i ri) dhe Dera Beled (qyteti i vjetër). Forcat e regjimit kontrollojnë pjesën më të madhe të Dera-s Mahatasë.
Në përgjithësi, opozitarët kontrollojnë 45 përqind të qytetit.
Ndryshe, Dera bën pjesë në mesin e "zonave jokonfliktuale" të cilat parashihen të formohen përmes marrëveshjes së nënshkruar mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit në mbledhjen në Astana më 4 dhe 5 maj.