Adam Abu-bashal
11 Nëntor 2021•Përditësim: 11 Nëntor 2021
Është rritur në 131 numri i personave që humbën jetën nga shpërthimi i një cisterne me karburant më 5 nëntor në kryeqytetin e Sierra Leones, Freetown, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i komunikimeve të Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive Kombëtare, Mohamed Lamrana Bah tha se vazhdon trajtimi i 63 personave të plagosur në aksidentin në rajonin Wellington në lindje të Freetown dhe se 19 prej këtyre personave janë në gjendje kritike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dërguar 6.6 tonë produkte mjekësore emergjente në Sierra Leonen për ndërhyrje ndaj të plagosurve në aksident.
Në shpërthimin e ndodhur më 5 nëntor në Freetown si pasojë e përplasjes së një cisterne me karburant me një automjet tjetër, së fundmi ishte njoftuar për humbjen e jetëve të 115 personave dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve.
Në kujtim të atyre që humbën jetën në aksident u shpall 3 ditë zie.