Burç Eruygur
31 tetor 2022•Përditësim: 01 nëntor 2022
Sot në orët e hershme u dëgjuan shpërthime në shumë rajone në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet Telegramit, autoritetet në rajonet Kiev, Zaporizhzhia, Kirovograd, Kharkiv dhe Odesa raportuan sulme raketore.
"Si rezultat i goditjeve në objektet kritike të infrastrukturës, një pjesë e kryeqytetit është pa energji elektrike. Nuk ka furnizim me ujë në disa zona", tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Autoritetet lokale kanë shpallur gjithashtu alarme për sulm ajror në të gjithë vendin, përveç Krimesë, e cila gjendet nën pushtimin rus që nga viti 2014.
Në Telegram, zyrtarë nga rajone të ndryshme thanë se ekziston mundësi e madhe e sulmeve ajrore, duke u bërë thirrje civilëve të strehohen.
Forcat ruse kanë nisur disa raunde të njëpasnjëshme sulmesh ajrore në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës gjatë katër javëve të fundit, që kur një shpërthim i fuqishëm dëmtoi urën kyçe ruse të Kerçit në Gadishullin e Krimesë.