Ekip
25 Gusht 2017•Përditësim: 26 Gusht 2017
PARIS (AA) – Kabineti i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, konfirmoi raportimet në media sipas të cilave Macron ka harxhuar 26.000 euro në makiazh për tre muaj sa është në pozitën e presidentit, duke u shprehur se po tentojnë të gjejnë një zgjidhje më të lirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti të cilin e bëri publik revista “Le Point” ka shkaktuar kritika të ashpra në rrjetet sociale në llogari të presidentit të Francës. Sipas raportit, në shpenzime përfshihen pagesa e ekspertit për makiazh gjatë paraqitjeve televizive të Macronit dhe udhëtimet jashtë vendit.
Kabineti i presidentit konfirmoi saktësinë e informacioneve te publikuara në media sot. Por, ky raport doli në moment të papërshtatshëm për Macronin, kur anketat tregojnë rënie të popullaritetit të tij për shkak të paralajmërimit për shkurtimin e buxhetit dhe reforma në legjin e punës.
“Le Point” bëri të ditur se shpenzimet e Macronit janë më të vogla se ato të paraardhësit të tij Francois Hollande, që për të njëjtin qëllim ka pasur të punësuar të cilin e ka paguar 10.000 euro në muaj.