Ayşe Aktaş
01 Shtator 2017•Përditësim: 02 Shtator 2017
MUMBAI (AA) – Ka shkuar në 33 numri i të vdekurve nga shembja e ndërtesës pesëkatëshe në Mumbai të Indisë, ndërkohë që dyshohet se mbi dhjetë persona të tjerë, gjenden nën gërmadhat e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Bëhet fjalë për një ndërtesë mbi 100 vjeçare e cila u shemb të enjten në mëngjes, në kohën kur rajoni ishte i kapluar nga moti i keq me shira të rrëmbyeshëm.
Zyrtarët policorë thonë se deri më sot janë nxjerrë trupat e pajetë të gjithsej 33 personave, ndërkohë që dyshojnë se nën gërmadhat e ndërtesës së shembur mund të ndodhen edhe mbi dhjetë persona të tjerë.
Ata janë shprehur pesimistë se mund të gjejnë ndonjë të mbijetuar, meqë nga shembja kanë kaluar mbi 24 orë.
Zjarrëfikësi Prabhat Kumar, konfirmoi se nga gërmadhat janë nxjerrë të gjallë 15 persona, ndërkohë që sipas policisë, është evituar një tragjedi akoma më e madhe meqë në katin e fundit të ndërtesës ka qenë e vendosur një shkollë, e cila në kohën e shembjes nuk ka qenë e hapur.
Më herët ndërtesa ka qenë e shpallur “e rrezikshme për banim”, por përkundër alarmit, njerëzit kanë vazhduar të banojnë në të.
Në një incident të ngjashëm në vitin 2013, jetën e humbën 74 persona.