Ayhan Şimşek
01 Qershor 2023•Përditësim: 02 Qershor 2023
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, ka thyer shpresat e Ukrainës për të marrë një perspektivë të qartë anëtarësimi nga aleanca e mbrojtjes e NATO-s brenda këtij viti, transmeton Anadolu.
“NATO-ja e ka bërë gjithmonë të qartë se ka një politikë të dyerve të hapura (për Ukrainën) dhe është gjithashtu e qartë se në mes të një lufte ne nuk mund të flasim për një anëtarësim të ri”, u tha Baerbock gazetarëve në Oslo para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s.
Megjithatë, Baerbock mbështeti një bashkëpunim më të fortë të mbrojtjes dhe theksoi se Gjermania dhe aleatët e saj të NATO-s do të vazhdojë të ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainë.
“Lufta ruse e agresionit ka treguar sërish rëndësinë e mbrojtjes. Dhe për shkak të luftës së agresionit rus, bashkëpunimi me Ukrainën dhe NATO-n është intensifikuar”, tha ajo.
Muajin e kaluar, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, deklaroi se ata shpresojnë të marrin një perspektivë të qartë të anëtarësimit nga NATO-ja gjatë samitit të ardhshëm të aleancës, që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë në muajin korrik.
Rusia vazhdimisht ka paralajmëruar se konflikti mund të përshkallëzohet në një luftë botërore nëse Ukraina do të pranohej në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja.
Në muajin shtator, Ukraina paraqiti zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim të shpejtë në NATO, pas aneksimit nga Rusia të katër rajoneve të Ukrainës.