Beyza Binnur Dönmez
18 Qershor 2020•Përditësim: 19 Qershor 2020
Kryetarja e bashkisë së Atlantës u ka kërkuar oficerëve të policisë të respektojnë përkushtimin e tyre ndaj komunitetit pasi disa oficerë treguan hezitimin për t'iu përgjigjur thirrjeve emergjente 911 pas akuzave ndaj një kolegu të tyre për vdekjen e Rayshard Brooks, transmeton Anadolu Agency (AA).
Oficeri i pushuar nga puna Garrett Rolfe dje u përball me 11 akuza, përfshirë vrasje kriminale, për vrasjen e afro-amerikanit të paarmatosur.
"Ka shumë gjëra që po ndodhin në qytetet tona dhe oficerët tanë të policisë po përballen me peshën kryesore", tha kryetarja Keisha Lance Bottoms për CNN.
Ajo gjithashtu tha se Atlanta është e përkushtuar ndaj oficerëve të policisë përmes një ngritje të madhe të rrogave, dhe shtoi: "Ne presim që oficerët tanë të respektojnë përkushtimin e tyre ndaj komunitetit tonë".
"Rrugët tona nuk do të jenë më pak të sigurta për shkak të numrit të oficerëve që janë lajmëruar se nuk vijnë", theksoi ajo, duke thënë se qyteti ka mjaft policë për të patrulluar gjatë natës.
"Shpresoj se oficerët tanë do të kujtojnë përkushtimin që ata bënë kur mbajtën lartë dorën dhe u betuan si oficerë policie", tha ajo.
Më herët, Departamenti i Policisë në Atlanta përmes një postimi në rrjetet sociale tha se janë të pasakta raportimet se shumë oficerë nga secila zonë kanë dhënë dorëheqje.
"Departamenti po përballet me një numër më të lartë se numri i zakonshëm i oficerëve që lajmërohen se nuk vijnë në punë në ndërrimin e ardhshëm", thuhet në njoftum, duke shtuar: "Ne kemi burime të mjaftueshme për të mirëmbajtur operacionet dhe mbetemi në gjendje t'u përgjigjemi incidenteve".
- Vrasja e Rayshard Brooks
Përballja e tij me policinë filloi kur oficerët ishin duke iu përgjigjur një thirrjeje se një person e kishte zënë gjumi në një restorant "drive-thru" të ushqimit të shpejtë.
Oficerët e gjetën Brooksin duke fjetur në automjetin e tij, e zgjuan dhe i kërkuan që të dilte nga makina. Policia e mori në pyetje për afro 40 minuta, ndërsa në kamerat e oficerëve të policisë shihet se situata filloi të bëhet e dhunshme kur ata u përpoqën t'i vinin prangat.
Ai rezistoi dhe arriti të marrë një armë elektrike prej njërit prej oficerëve, duke e gjuajtur drejt tyre derisa ishte duke ikur.
Prokurori i qarkut, Paul Howard, tha se Brooks ishte në një distancë prej 5-6 metrash nga oficeri Garrett Rolfe kur u qëllua për vdekje.