Bota

SHBA: Koreja e Veriut testoi 17 raketa balistike këtë vit

Ambasadorja amerikane, Greenfield dënoi testet e raketave balistike të kryera nga Koreja e Veriut më 4 dhe 7 maj dhe tha se këto teste shkelin hapur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Betül Yürük  | 12.05.2022 - Përdıtësım : 12.05.2022
SHBA: Koreja e Veriut testoi 17 raketa balistike këtë vit

New York

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield tha se Koreja e Veriut këtë vit ka testuar 17 raketa balistike dhe se ka filluar të ndërtojë sërish terrenin testues bërthamor në përgatitje për testin e 7-të bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i Sigurimit të OKB-së u mblodh për të diskutuar testimet e fundit të raketave balistike të Koresë së Veriut.

Ambasadorja amerikane, Greenfield dënoi testet e raketave balistike të kryera nga Koreja e Veriut më 4 dhe 7 maj dhe tha se këto teste shkelin hapur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

"Koreja e Veriut vetëm këtë vit ka kryer 17 teste të raketës balistike", tha Greenfield e cila shtoi se Pheniani ka filluar të ndërtojë sërish terrenin testues bërthamor në përgatitje për testin e 7-të bërthamor.

SHBA-ja kërkon zbatimin e sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut

Duke akuzuar Kinën dhe Rusinë se dy vitet e fundit kanë penguar zbatimin dhe përditësimin e sanksioneve të vendosura ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit të saj bërthamor, Greenfield tha se negociatat për rritjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut janë drejt fundit dhe se Këshilli nuk duhet të heshtë për këtë çështje.

Mesazhi i Kinës për dialog dhe jo sanksione ndaj Koresë së Veriut

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun tha se aktualisht ndaj Koresë së Veriut nevojitet dialog në vend të sanksioneve dhe se sanksionet shtesë do ta përkeqësojnë situatën.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së zbaton sanksione ekonomike dhe ushtarake ndaj Koresë së Veriut që nga viti 2006 për shkak të programit të saj bërthamor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.