Riyaz Khaliq Khaliq
30 Shtator 2021•Përditësim: 30 Shtator 2021
Ushtritë e SHBA-së dhe Kinës kanë përfunduar bisedimet dy-ditore që synojnë të "menaxhojnë me përgjegjësi konkurrencën" midis dy vendeve, njoftoi Washingtoni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Michael Chase, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes për Kinën, përfaqësoi SHBA-në në një video-konferencë dhe bashkë-organizoi bisedimet e 16-të të Koordinimit të Politikave të Mbrojtjes të mbajtura me gjeneral majorin e Kinës, Huang Xueping, zëvendës drejtor i Zyrës së Armatës Çlirimtare Popullore për Bashkëpunim Ushtarak Ndërkombëtar, njoftoi Pentagoni të mërkurën vonë në një deklaratë të shkurtër.
Bisedimet u mbajtën për të ruajtur "linjat e hapura të komunikimit", tha zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, nënkolonel Martin Meiners.
Pala kineze nuk kishte dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.
"Takimi është një komponent i rëndësishëm i përpjekjes së vazhdueshme të administratës Biden-Harris për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën midis SHBA-së dhe RPK (Republika Popullore e Kinës) duke mbajtur linja të hapura komunikimi me RPK", theksoi Meiners.
Ai tha se të dy palët zhvilluan një "diskutim të sinqertë, të thelluar dhe të hapur" për një sërë çështjesh që prekin marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Kinë.
"Të dyja palët riafirmuan konsensusin për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit" tha zëdhënësi, duke shtuar se Washingtoni "e bëri të qartë angazhimin tonë për të mbështetur parimet e përbashkëta me aleatët dhe partnerët tanë në rajonin Indo-Paqësor".