Riyaz Khaliq Khaliq
05 Korrik 2022•Përditësim: 06 Korrik 2022
Zyrtarët e lartë të Kinës dhe SHBA-së zhvilluan sot një takim virtual ku diskutuan situatën ekonomike globale, transmeton Anadolu Agency (AA)
Zëvendëskryeministri kinez, Liu He, këshilltari kryesor për çështje ekonomike i presidentit Xi Jinping, zhvilloi një takim përmes video-lidhjes me Sekretaren amerikane të Thesarit, Janet Yellen, të cilën Pekini e përshkroi si "pragmatike dhe të sinqertë".
Liu udhëheq palën kineze të dialogut gjithëpërfshirës ekonomik Kinë-SHBA ndërsa thirrja për takimin u bë nga Washingtoni, njoftoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.
“Të dyja palët patën shkëmbim pragmatik dhe të sinqertë të pikëpamjeve, ku shtjelluan temat për situatën makro-ekonomike dhe stabilitetin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global. Shkëmbimet e tyre ishin konstruktive”, thuhet në raport.
Në mes të sfidave serioze me të cilat po përballet ekonomia botërore, të dyja palët nënvizuan se: "Konsiderohet me një rëndësi të madhe forcimi i komunikimit dhe koordinimit makro-politik midis Kinës dhe SHBA-së".
"Ruajtja e përbashkët e stabilitetit të zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit është në interes të të dyja vendeve dhe të gjithë botës”, shtuan ata.
Megjithatë, pala kineze shprehu shqetësim për çështjet, përfshirë tarifat shtesë ndaj Kinës dhe sanksionet nga pala amerikane.
Washingtoni ka futur në listën e zezë disa kompani kineze nga të bërit biznes në SHBA.
Gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, SHBA-ja vendosi tarifa shtesë për importet kineze, megjithatë, administrata e Bidenit është duke konsideruar heqjen e disa prej këtyre tarifave.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian tha se heqja e "të gjitha tarifave shtesë të SHBA-së për mallrat kineze është në të mirën e të dyja vendeve dhe botës".