Michael Hernandez
27 Qershor 2017•Përditësim: 27 Qershor 2017
WASHINGTON (AA) - Ligjvënësi kryesor republikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është zotuar të bllokojë shitjen e armëve amerikane për shtetet e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (KBGJ), nga shkaku i krizës diplomatike me Katarin, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari me ndikim i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, në një letër dërguar në adresë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, ka shkruar se konflikti i fundit diplomatik i KBGJ-së, rrezikon të pengojë luftën kundër DEASH-it dhe t'i bëjë ballë Republikës së Iranit.
"Para se të japim çdo leje të mëtejshme gjatë periudhës së shqyrtimit jozyrtar për shitjen e pajisjeve luftarake në shtetet e KBGJ-së, kemi nevojë për një kuptim më të mirë të rrugës, me të cilën do të zgjidhen mosmarrëveshjet e tanishme dhe të ribashkojmë KBGJ-në", shkroi ai.
Deklarata e Corkerit vë në rrezik marrëveshjen për shitje armësh Arabisë Saudite në vlerë prej 110 miliardë dollarë, të cilën presidenti Donald Trump e nënshkroi muajin e kaluar në Rijad.
Në cilësi të kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, Corker duhet të japë miratim paraprak për çdo shitje të armëve, para se e njëjta të mund të vazhdojë periudhën 30 ditore të shqyrtimit nga Kongresi.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahreini dhe Jemeni, më 5 qershor njoftuan ndërprerjen e të gjitha lidhjeve diplomatike me Katarin, të cilat e akuzojnë për destabilizim të rajonit përmes përkrahjes që i bën terrorizmit.