Emre Gürkan Abay
17 Mars 2018•Përditësim: 18 Mars 2018
MOSKË (AA) – Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka marrë vendim për dëbimin e 23 diplomatëve britanikë, duke i shpallur ata "persona të padëshiruar", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga kjo ministri thuhet se për shkak të akuzave “provokative” të Britanisë së Madhe ndaj Rusisë në lidhje me helmimin e ish agjentit rus Sergey Skripal dhe vajzës së tij Yulia, 23 diplomatë britanikë janë shpallur "persona të padëshiruar" dhe se është marrë vendimi për dëbimin e tyre nga Rusia.
Në deklaratë thuhet se diplomatët e dëbuar duhet të largohen brenda një jave nga Rusia dhe se është marrë vendimi për tërheqjen e lejes së dhënë për hapjen e Konsullatës Britanike në St. Petersburg.
Në deklaratë po ashtu thuhet se në bazë të reciprocitetit, Moska ka të drejtë që të ndërmerr hapa shtesë ndaj Londrës.
Qeveria britanike më parë bëri të ditur se ka marrë vendime për sanksione ndaj Rusisë për shkak të helmimit të Skripal-it dhe se në këtë kuadër do të dëbojë 23 diplomatë rusë.
Në mesin e vendimeve ishte edhe tërheqja e ftesës për vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov të cilën do ta zhvillonte në Britani të Madhe.
Në kuadër të kësaj qëndronte edhe vendimi që në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Rusi nuk do të ketë pjesëmarrje nga familja mbretërore dhe nga udhëheqësit e shtetit britanik.