Muhammet Kurşun
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Si pasojë e rrëzimit të një avioni Boeing 737 të linjës ajrore të Ukrainës në kryeqytetin Teheran të Iranit, kanë humbur jetën 176 persona, ekuipazh dhe pasagjerë që gjendeshin në avion, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Agjencisë së Ndihmës Humanitare të Iranit, Pir Husein Kulivend, për televizionin shtetëror iranian tha se askush nuk ka shpëtuar nga avioni me numër të fluturimit PS-752.
Ai tregoi se janë mbledhur kufomat e personave nga vendi i incidentit dhe do të dërgohen në institucionin e mjekësisë ligjore.
Ndërkaq, zëdhënësi i Aeroportit 'Imam Khomeini Teheran', Ali Kashani, e përditësoi numrin e pasagjerëve që më parë ishte njoftuar të jetë 170 me 167, ndërsa atë të ekuipazhit i cili ishte 10, me 9.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ndihmës Humanitare të Iranit, Mojtaba Halidi, njoftoi se avioni i tipit Boeing 737, i cili ishte nisur nga Teherani në kryeqytetin ukrainas Kiev, ishte rrëzuar pas një kohe të shkurtër për shkak të defektit teknik.