Rritet në 75 numri i viktimave nga uragani "Melissa" në Haiti dhe Xhamajka
Uragani ka goditur Haitin, Xhamajkën dhe Kubën që nga fundi i tetorit, duke shkaktuar humbje jetësh dhe shkatërrime të gjera
Bolivar
Numri i viktimave në Haiti dhe Xhamajka nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga uragani "Melissa" është rritur në 75, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Uragani ka goditur Haitin, Xhamajkën dhe Kubën që nga fundi i tetorit, duke shkaktuar humbje jetësh dhe shkatërrime të gjera.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile e Haitit tha se 43 persona humbën jetën dhe të paktën shtatë të tjerë llogariten si të zhdukur. Rreth 12 mijë shtëpi u përmbytën dhe qindra të tjera u shkatërruan ose u dëmtuan.
Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness tha se 32 persona humbën jetën. Ai theksoi se dëmet vlerësohen midis 6-7 miliardë dollarë, duke e quajtur katastrofën "të paprecedentë".
"Kjo nuk është vetëm krizë humanitare, por edhe goditje e rëndë për jetesën dhe ekonomitë lokale", tha Holness, duke shtuar se rajonet kryesore turistike si Saint Elizabeth, Westmoreland dhe Saint James u goditën më rëndë.
Në Kubë, ku shifrat zyrtare të viktimave nuk janë publikuar ende, OKB-ja tha se 2.2 milionë njerëz janë prekur, me dëme të raportuara në rreth 60 mijë shtëpi, 461 qendra shëndetësore dhe 1.552 shkolla.
